Zgjedhjet e 28 dhjetorit: LDK vendos sot për kandidatin për kryeministër
Zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare, të cilat do të mbahen më 28 dhjetor 2025, pritet të nxiten të gjitha subjektet politike në vend këtë javë. Zyrtarisht kanë filluar afatet për formimin e koalicioneve parazgjedhore, certifikimin e partive dhe dorëzimin e listave me kandidatë për deputetë. Këto faza shënojnë hyrjen e procesit zgjedhor në një etapë vendimtare.
Valmir Elezi, zëdhënës i KQZ-së, ka njoftuar se nga sot deri më 30 nëntor, subjektet politike duhet të dorëzojnë në KQZ, respektivisht në Zyrën për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar, aplikimin për certifikim për pjesëmarrje në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës.
Gjithashtu, duke filluar nga sot, subjektet politike – përfshirë partitë politike, koalicionet, iniciativat qytetare dhe kandidatët e pavarur – mund të dorëzojnë listën e tyre me emrat e kandidatëve për deputetë. KQZ-ja u ka dhënë subjekteve politike një afat 2-javor për përgatitjen e këtyre listave.
Në këtë atmosferë përgatitjesh, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) do të mbajë sot, në orën 15:00, mbledhjen e Kryesisë Qendrore. Pritet që në këtë mbledhje të propozohet zyrtarisht Lumir Abdixhiku si kandidat për kryeministër. Gjithashtu, në mbledhjen e sotme pritet të diskutohen edhe rezultatet e zgjedhjeve të fundit lokale.
Ky zhvillim tregon se LDK po synon të hyjë në garën e 28 dhjetorit me një strukturë të konsoliduar dhe me një figurë të qartë udhëheqëse. Skena politike pritet të dinamizohet edhe më shumë ditëve në vijim, teksa partitë do të finalizojnë koalicionet e mundshme dhe listat zgjedhore.
