Grabiste ndërsa ishte nën masën “Arrest në shtëpi”, arrestohet 29-vjeçari në Durrës
Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Durrës, në kuadër të operacionit policor të koduar “Masa”, identifikuan, lokalizuan dhe ndaluan dy shtetas:
- A. T., 29 vjeç, banues në lagjen nr. 4 Durrës. Ky shtetas rezulton të jetë i dënuar më parë dhe aktualisht ndodhet nën masën e sigurisë “Arrest në shtëpi” për një aksident rrugor me pasojë jetën, të ndodhur në vitin 2022.
- M. Ç., 30 vjeç, banues në lagjen nr. 8 Durrës.
Ndalimi i këtyre dy shtetasve u bë pas një pune intensive të kryer nga specialistët e Hetimit të Krimeve. Hetimet kanë zbuluar se këta dy shtetas, në bashkëpunim edhe me një person të tretë ende të paidentifikuar, më datë 18.11.2025, gjatë natës, në lagjen nr. 18 Durrës, kanë vjedhur sende të ndryshme nga lokali i shtetasit L. K. Vlera e sendeve të vjedhura vlerësohet në 3 000 000 lekë të vjetra.
Si pjesë e operacionit, u bë e mundur gjendja e automjetit që këta shtetas kishin përdorur për transportimin e sendeve të vjedhura, si dhe rrobat që autorët mendohet se kanë përdorur gjatë vjedhjes.
Në bashkëpunim me Prokurorinë, vijon puna për identifikimin e bashkëpunëtorit të tyre, si dhe për zbardhjen dhe dokumentimin ligjor të vjedhjeve të tjera që dyshohet se janë kryer nga këta shtetas.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme, lidhur me veprat penale “Vjedhje e kryer në bashkëpunim” dhe “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”.
