Venezuelë: Paralajmërim udhëtimi nga Gjermania, situatë e rrezikshme

Ministria e Jashtme e Gjermanisë u bën thirrje qytetarëve të saj të mos udhëtojnë në Venezuelë

Ministria e Jashtme gjermane të hënën u ka bërë thirrje fuqimisht qytetarëve të saj të mos udhëtojnë drejt Venezuelës, duke përmendur përkeqësimin e situatës së sigurisë në rajonin e Karaibeve dhe një paralajmërim të kohëve të fundit nga Autoriteti Federal i Aviacionit i SHBA-së (FAA).

Situata në vendin e Amerikës së Jugut është e tensionuar dhe mund të përkeqësohet papritur, sipas njoftimit për udhëtim të publikuar në Berlin.

Më tej, thuhet se ushtria amerikane po forcon praninë e saj në Karaibe, ndërsa që nga shtatori, rreth njëzet sulme kanë shkatërruar motoskafe, të cilat sipas Uashingtonit, transportonin drogë. SHBA-të raportojnë se më shumë se 80 persona janë vrarë në këto sulme.

Pas paralajmërimit të FAA-së për “rreziqe” të mundshme për udhëtimet ajrore, disa linja ajrore kanë vendosur të pezullojnë fluturimet për në dhe nga Venezuela.

Berlini thekson se Venezuela drejtohet nga një regjim “autoritar” dhe paralajmëron se përveç bllokimeve të rrugëve dhe kontrolleve policore, janë të mundshme edhe kufizime në rrjetet e telefonisë celulare dhe aksesin në internet.

Deklarata gjithashtu vëren se qytetarë të shteteve anëtare të BE-së janë arrestuar dhe akuzuar për mbështetje të “terrorizmit”.

Në të njëjtën kohë, të hënën, qeveria amerikane shtoi në listën e zezë të “organizatave të huaja terroriste” Cártel de los Soles (“Karteli i Diejve”), për të cilin thotë se drejtohet nga Presidenti i Venezuelës, Nicolas Maduro. Kjo organizatë, ekzistenca e së cilës është e diskutueshme, përfshin, sipas administratës Donald Trump, oficerë të forcave të armatosura dhe zyrtarë qeveritarë.

Zyrtarisht, Uashingtoni pretendon se vendosja e forcave në Karaibe dhe Paqësor është pjesë e një operacioni kundër trafikut të drogës.

Venezuela – Ministri i Jashtëm i së cilës, Ivan Hill, dje mohoi “trillimin qesharak” të Uashingtonit në lidhje me “Kartelin e Diejve” dhe foli për “shpifje” – e sheh këtë si një pretekst për të imponuar “ndryshim regjimi” në vend dhe për t’i marrë SHBA-ve kontrollin e naftës së saj, duke siguruar se “manovra” amerikane do të dështojë.

Scroll to Top