The Telegraph: “Skifteri” shqiptar sfidon autoritetet me Rolex dhe Lamborghini
Një shtetas shqiptar, i njohur si “Skifteri”, i cili po lufton deportimin nga Britania, ka përdorur mediat sociale për të shfaqur pasurinë e tij, përfshirë gjashtë orë luksoze Rolex dhe një makinë Lamborghini.
Personi, 29 vjeç, është dënuar dhe deportuar dy herë për vjedhje me thyerje, por më pas është kthyer fshehurazi në Britani. Gjatë vitit të kaluar, ai ka tallur Ministrinë e Brendshme britanike duke publikuar në TikTok video të jetesës së tij luksoze.
Ministria e Brendshme pranon se është e pamundur ta largojë përsëri shqiptarin për momentin, pasi kërkesa e tij për azil është ende në shqyrtim. Megjithatë, ajo ka paralajmëruar se kriminelët e huaj nuk duhet të kenë “asnjë dyshim” për zbatimin e ligjit.
Në një seri të fundit videosh, shqiptari ka filmuar veten duke drejtuar një Lamborghini Urus V8 të vitit 2022, me vlerë rreth 185,000 £. Ai gjithashtu ka shfaqur koleksionin e tij prej gjashtë orësh Rolex, me vlerë totale të vlerësuar në rreth 162,500 £. Ora më e shtrenjtë është një Rolex Day-Date, me vlerë 53,000 £, ndërsa më e lira kushton midis 5,000 dhe 10,000 £.
Ky zhvillim vjen menjëherë pas njoftimit të Sekretarja e Brendshme Britanike, Shabana Mahmood, për masa të ashpra kundër azilit, duke përfshirë përshpejtimin e deportimeve dhe kthimin e familjeve shqiptare që nuk kanë kërkuar azil.
Shqiptari ka publikuar video të jetesës së tij luksoze që nga viti 2023, kur ai ngriti video të tij duke ngarë një Ferrari të kuq. Ai gjithashtu ka postuar një foto ku tallte Nigel Farage, udhëheqësin e partisë “Reform UK”, i cili e kishte përshkruar si një “njeri të gabuar” që duhet të deportohet. Në përgjigje, ai ka publikuar një imazh të përpunuar në Photoshop ku Farage i ngre dolli.
Ai u burgos për herë të parë në vitin 2016 për 9 muaj dhe u deportua një vit më pas për përpjekje për të hyrë me forcë në një pronë. Brenda një viti, ai arriti të kthehej në Britani dhe kreu disa vjedhje në periferi të Londrës. U kap duke mbajtur një orë të vjedhur dhe u dënua me 3 vite e gjysmë burg, duke u deportuar në mars 2020.
Në një video tjetër, ai shfaq një orë Patek Philippe Aquanaut, me vlerë 45,000 £. Gjatë kohës së tij në burg në Britani, ai ka qenë i famshëm për përdorimin e një telefoni celular të futur kontrabandë për të postuar foto në Instagram, ku shfaqej me anëtarë të krimit të organizuar.
Pas disa muajsh në Shqipëri, ai udhëtoi nëpër Gjermani, Belgjikë dhe Holandë përpara se të rikthehej në Britani në dhjetor 2020. Përballë deportimit, ai ka paraqitur kërkesë për azil dhe që nga viti 2023 është me kusht për imigracionin dhe i nënshtrohet një etikete elektronike, ndërsa pret një vendim.
Përveç makinave luksoze, ai ka postuar foto nga pushimet e tij në vende si Cornwall, ku shfaqet me etiketën elektronike në këmbë. Llogaria e tij në mediat sociale përfshin edhe imazhe me makina të tjera të shtrenjta si Porsche Cayenne, Mercedes G-Wagon, Bentley Bentayga, BMW X5, Mercedes AMG dhe Jaguar XF.
Burimet e tij të financimit mbeten të panjohura, por raportet sugjerojnë se ai ka jetuar në një apartament me vlerë 250,000 £ në Hounslow, në perëndim të Londrës.
