Kush është Hamza Uka? Ai u vetëdorëzua i plagosur pranë RENEA-s në Fushë-Arrëz
Hamza Uka, njëri nga personat e armatosur që u dorëzua pranë policisë mbrëmjen e sotme, pas disa orësh negociata dhe thirrje nga forcat RENEA, rezulton të jetë i plagosur.
Ende nuk është e qartë se si është plagosur, pasi policia dhe RENEA nuk kanë qëlluar drejt banesës ku strehoheshin Hamza Uka dhe Julian Cumraku.
Gazetarja Klodiana Lala, në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, deklaroi se të dy personat ndjekin besimin fetar mysliman dhe kanë prirje radikale.
Fillimisht, policia e Shkodrës dhe Komisariati i Pukës morën njoftimin, pas së cilës u angazhua edhe RENEA. Forcat RENEA negociuan për 6 orë, por nuk arritën të bindnin të dyshuarit për t’u dorëzuar dhe për të mos qëlluar.
Vëllai dhe motra e Cumrakut ndërmorën negociata dhe arritën ta bindnin atë të dorëzohej.
Aktualisht, RENEA po kryen kontrolle me qen anti-eksploziv dhe anti-minë. Nga banesa janë bërë thirrje që janë konsideruar terroriste.
Personat e dyshuar pritet të shoqërohen në polici dhe më pas në Tiranë, ku do të merren në pyetje për të sqaruar arsyet e armatosjes së tyre.
“Antiterrori më ka konfirmuar se Hamza Uka ishte nën vëzhgim prej kohësh. Në Facebook shpërndante thirrje ekstremiste, radikale, thirrje për luftën në Siri dhe mesazhe nga hoxhallarë me përmbajtje ekstremiste,”- u shpreh Lala.
Ndërkohë, gazetari Ferdinand Dervishi rindërtoi profilin e personit të shumëkërkuar Hamza Uka.
Dervishi sqaroi se Hamza Uka, emri i vërtetë i të cilit është Erzen, ka qenë komando në Afganistan, nga ku u kthye i radikalizuar. Ai ishte dënuar me 3 vite burg dhe kishte kërcënuar edhe gjyqtarin dhe prokurorin gjatë procesit gjyqësor.
“Hamza në gjuhën arabe do të thotë Luan. Ai e ka emrin Erzen, por nuk jemi të sigurt nëse personat e dorëzuar janë këta, kjo do të verifikohet. Erzeni u arrestua më 12 dhjetor 2019 për terrorizëm, si person me pritje radikale dhe ka qenë komando në Afganistan. Është e çuditshme që dikush të shkojë atje për të luftuar terrorin dhe të kthehet i radikalizuar. Është gjetur një video ku ai u mësonte fëmijëve se si të stërviteshin. Është mbrojtur duke thënë se këto janë gjëra private. Ai u dënua 3 vite burg në vitin 2019 dhe e kreu dënimin. Në sallën e gjyqit ai kërcënoi gjyqtarin dhe prokurorin Eugen Beçi, madje solli edhe persona nga jashtë për t’i kërcënuar. Ky person është ndër më të vëzhguarit nga antiterrori për shkak të problemeve që ka paraqitur, lidhjeve dhe mënyrës së funksionimit,”- tha Dervishi.
