Sulm me dronë në Kiev, viktima dhe dëme

Përpjekjet për armëpushim vazhdojnë, por Rusia dhe Ukraina nuk ndalin sulmet e ndërsjellta. Dronët i marrin jetën disa viktimave.

Katër persona kanë humbur jetën në një sulm rus të kryer mbrëmjen e kaluar në lagjen Svyatoshynskyi të kryeqytetit ukrainas, Kiev. Lajmin e konfirmoi kreu i administratës ushtarake të qytetit, Timur Tkachenko, i cili njoftoi në Telegram për viktimat dhe dëmet e shkaktuara.

Sipas raportimeve të Ukrinform, Rusia ndërmori një sulm ajror të kombinuar, duke përdorur raketa lundruese, raketa balistike dhe dronë sulmues.

Para këtij përditësimi, autoritetet kishin raportuar dy të vdekur dhe nëntë të plagosur. Tkachenko bëri të ditur se “katër persona janë vrarë dhe të paktën tre të tjerë janë plagosur në vendngjarje në rrethin Svyatoshyn”.

Ndërkohë, Shërbimi Shtetëror i Emergjencave raportoi se një ndërtesë 22-katëshe në rrethin Pechersk është goditur, duke shkaktuar dëmtime nga kati i katërt deri në të tetin. Një goditje tjetër preku një ndërtesë nëntëkatëshe në rrethin Dniprovskyi, ku zjarret që shpërthyen nga kati i pestë deri në të tetin janë shuar.

Ekipet e shpëtimit po vijojnë punën për çmontimin e strukturave të rrezikshme dhe kërkimin e viktimave të mundshme nën rrënoja. Autoritetet paralajmërojnë se bilanci mund të ndryshojë ndërsa operacionet e kërkim-shpëtimit vazhdojnë.

Konflikti i ashpër dhe sulmet ajrore të natës tregojnë se kërcënimi mbetet i lartë për civilët në kryeqytet.

Scroll to Top