Kërcënime me bomba në shkolla dhe stacione treni: Policia gjermane arreston katër të dyshuar
Policia gjermane zhvilloi sot në mëngjes kontrolle në banesat e katër personave të dyshuar për një valë të fundit kërcënimesh me bombë drejtuar shkollave, stacioneve të trenit dhe qendrave tregtare. Operacionet u kryen në landet e Nordrhein-Westfalen, Niedersachsen, Hessen dhe Sachsen-Anhalt.
Dy nga të dyshuarit janë të mitur dhe nuk u kryen arrestime. Zyra Federale e Kriminalistikës (BKA) mori përsipër çështjen pas qindra email-eve kërcënuese të dërguara në të gjithë vendin.
Sipas BKA-së, të dyshuarit i dërguan këto mesazhe me qëllim tërheqjen e vëmendjes. Ata vepronin si pjesë e një “rrjeti kriminal kombëtar”, por ishin të lidhur vetëm në internet përmes një grupi në një aplikacion mesazherie të quajtur ‘Schëeinetreff’ (takim derrash).
Kërcënimet shkaktuan operacione masive policore dhe evakuime të qindra objekteve, përfshirë qendra tregtare në Sachsen-Anhalt dhe Nordrhein-Westfalen, stacione treni, selinë e televizionit publik MDR në Magdeburg, shkolla dhe institucione të tjera publike.
Ngjarje të ngjashme pati edhe në Austri, ku u zhvilluan gjithashtu operacione të mëdha policore. Për të gjetur autorët, pati një bashkëpunim të ngushtë mes autoriteteve gjermane dhe atyre austriake.
Qëllimi i vetëm i të dyshuarve ishte të prishnin rendin publik duke kërcënuar me vepra penale, të krijonin sa më shumë panik te qytetarët dhe pastaj të “shijonin” reagimin maksimal të policisë dhe vëmendjen mediatike. Për t’i bërë kërcënimet më bindëse, ata shpesh përfshinin referenca islamiste në mesazhe. Megjithatë, BKA nuk gjeti asnjë motiv fetar dhe i klasifikoi të gjitha kërcënimet si të rreme.
