Rama pas arrestimit shtëpiak të Vlora Hysenit: Hetimi i takon drejtësisë, dëmi i takon shtetit
Kryeministri Edi Rama, në një deklaratë për mediat, ka reaguar pas dhënies së masës së arrestit shtëpiak për ish-kryetaren e Shërbimit Informativ të Shtetit (SHISH), Vlora Hyseni.
Rama theksoi se hetimi dhe gjykimi për Vlora Hysenin janë çështje ekskluzive të drejtësisë. Ai u shpreh se:
- “Çdo akuzë ndaj kujtdo duhet të provohet nëpërmjet një procesi të pavarur gjyqësor.”
- “Çdo masë lirie për individë pa imunitet parlamentar gjykohet në gjykatë. Këto janë parime të drejtësisë dhe kështu do të mbeten.”
Më tej, Kryeministri vuri në dukje se gjatë procesit, përveç çështjes individuale, ekziston edhe një fakt parimor që nuk mund të anashkalohet. Ai shtoi se:
“Gjatë marrjes së masës, një institucion i rëndësisë së veçantë u ekspozua ndaj një potenciali dëmi të madh, i cili mund të ishte parandaluar. Të dhënat e dosjes vërshuan në media përpara se gjykata të jepte vendimin. Ky nuk është problemi i një pushteti të pavarur, por i gjithë shtetit.”
Rama nënvizoi se kjo situative ka lënë “pa fjalë partnerët tanë”. Ai shtoi se, edhe pse jo hera e parë që institucioni i shërbimit sekret merr të pandehur, është hera e parë që ai bëhet “target kombëtar dhe ndërkombëtar për shkak të masave që shtetet marrin në një rast kaq fatkeq.”
“Hetimet ndaj Vlora Hysenit janë detyrë ekskluzive e gjykatës, ndërsa dëmet ndaj institucionit janë detyrë e shtetit. Ka ardhur koha ta trajtojmë bashkërisht dhe seriozisht,” – tha ai.
Kryeministri u shpreh se:
“Besoj se Këshilli i Sigurisë, i thirrur nesër, është vendi i duhur për të diskutuar përgjegjësitë institucionale dhe mbrojtjen e tyre, kur punonjësit rrëshqasin nga binarët dhe bëhen subjekt i hetimit penal.”
Ai kujtoi se, kur doli masa e arrestit, kishte vlerësuar punën e Vlora Hysenit. Rama sqaroi se ajo ka punuar si këshilltare pranë tij dhe pas referencave të shkëlqyera nga partnerët, është emëruar kryetare e SHISH-it, duke hyrë në një “borxh moral me këtë vend”.
Duke iu drejtuar zgjedhësve, Rama tha se fakti që drejtësia prek funksionarë të lartë:
“nuk do të thotë se na mbyti korrupsioni apo se ai po shtohet. Hetimet e pavarura të hapura nuk provojnë se na mbyti korrupsioni. Por provojnë se shumica është e pakorruptuar dhe e angazhuar deri në fund për reforma dhe masa të mëtejshme, qoftë edhe me kosto politike.”
Në fund, ai komentoi avazin e vjetër sipas të cilit ai vetë është “kryefajtori pas çdo rasti”, duke theksuar se pikërisht ai ishte “që e doje më shumë se askush tjetër reformën në drejtësi.”
