Autoritetet në Mal të Zi: Gjukanoviç nuk ka deklaruar orë me vlerë rreth 200 mijë euro
Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit në Mal të Zi ka konstatuar më 25 nëntor se ish-presidenti Millo Gjukanoviç nuk ka deklaruar një pjesë të pasurisë së tij të luajtshme, konkretisht një koleksion orësh dore me vlerë rreth 200.000 euro.
Raporti i Agjencisë bazohet në analizën e fotografive të publikuara nga disa media malazeze gjatë paraqitjeve të ndryshme publike të Gjukanoviçit gjatë viteve, kur ai mbante detyrën e presidentit ose kryeministrit të Malit të Zi. Fotografitë përfshijnë orë dore nga shtatë marka të ndryshme, secila prej të cilave, sipas ekspertëve të provave digjitale, vlerësohet mes 8.000 dhe 59.000 euro.
Ekspertët kanë analizuar fotografi ku Gjukanoviç mban në dorë orë të markave si:
- Franck Muller
- Cartier Pasha
- Brequet Tourbilion
- Roger Dubuis Excalibur
- Rolex
- Patek Philippe
- Cartier Moonphase
Agjencia ka vërtetuar se fotografitë ku ish-funksionari publik shfaqet me këto orë janë autentike dhe se ato nuk janë deklaruar në asnjë nga raportet e të ardhurave dhe pasurisë.
Në përgjigjen e tij të vitit 2021, Gjukanoviç i cilësoi pretendimet për “orë me vlerë marramendëse” si “sensacionalizëm dashakeq”. Ai theksoi se disa nga orët nuk i ka pasur kurrë në pronësi, ndërsa për orën “Brequet Tourbilion” deklaroi se e zotëron “që nga vitet ’90 si dhuratë nga një person i afërt, para se të merrja funksion publik”.
Megjithatë, Agjencia nuk e pranoi arsyetimin e Gjukanoviçit, duke deklaruar se nuk e pranon pretendimin për dhuratë të pakonfirmuar, pasi nuk është mbështetur me asnjë provë. Për më tepër, sipas ekspertëve të provave digjitale, një model i tillë ore nuk ekziston.
Millo Gjukanoviç ka mbajtur funksione të larta shtetërore në Mal të Zi që nga fillimi i viteve ’90. Partia e tij, Partia Demokratike e Socialistëve, udhëhoqi qeveritë deri në vitin 2020, kur humbi pushtetin. Gjukanoviç e përfundoi mandatin e tij presidencial në vitin 2023.
Radio Evropa e Lirë i ka dërguar kërkesë Zyrës së ish-presidentit për koment mbi vendimin e Agjencisë, por nuk ka marrë ende përgjigje. Gjukanoviç ka mundësinë të nisë procedurë administrative kundër vendimit të Agjencisë brenda 20 ditësh.
