Gruaja nga Zelanda e Re dënohet me burgim të përjetshëm për vrasjen e dy fëmijëve dhe fshehjen e tyre në valixhe
Një shtetase e Zelandës së Re me origjinë koreano-jugore është dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e dy fëmijëve të saj të vegjël. Trupat e tyre u gjetën mbi tre vjet më parë brenda valixheve, të fshehura në një depo të braktisur.
Hakiung Li u shpall fajtore në shtator, pasi pranoi se kishte vrarë fëmijët e saj, 8 dhe 6 vjeç, në vitin 2018. Ky krim ndodhi një vit pas vdekjes së bashkëshortit të saj nga kanceri.
Li mbrojtjen e saj e bazoi në pretendimin e pafajësisë për shkak të çrregullimeve mendore. Ajo përfaqësoi vetveten gjatë gjykimit, me mbështetjen e dy avokatëve.
Avokatët e saj argumentuan se dënimi me burgim të përjetshëm ishte i padrejtë, duke pasur parasysh problemet e shëndetit mendor të Li. Nga ana tjetër, prokurorët theksuan mungesën e provave për tendenca vetëvrasëse gjatë periudhës së kryerjes së krimeve, siç raporton gazeta New Zealand Herald.
Gjyqtari Jofri Vening refuzoi kërkesën për një dënim më të lehtë, por miratoi trajtimin e detyrueshëm të Li në një njësi psikiatrike të sigurt. Ajo do të kthehet në burg pasi të vlerësohet si e aftë mendërisht, sipas raportimeve.
“E dinit që veprimet tuaja ishin moralisht të gabuara, ndoshta nuk mund t’i mbani fëmijët me vete si një kujtesë të përhershme të jetës suaj të mëparshme të lumtur,” tha Vening.
Li është e detyruar të vuajë një dënim minimal prej 17 vjetësh, pa mundësi për lirim me kusht. Burgimi i përjetshëm është dënimi më i rreptë në Zelandën e Re, e cila e ka hequr dënimin me vdekje në vitin 1989.
Gjatë gjykimit u zbulua se Li u kishte dhënë fëmijëve një dozë të tepërt të medikamenteve të përshkruara në vitin 2018. Më pas, trupat i kishte futur në qese plastike dhe i kishte vendosur në valixhe.
Trupat e fëmijëve u gjetën në vitin 2022 nga një familje që po kontrollonte përmbajtjen e një dollapi në një depo, të cilin e kishte blerë përmes një ankandi online. Policia e Zelandës së Re nisi një hetim për vrasje. Li, e cila ishte larguar drejt Koresë së Jugut në vitin 2018, u ekstradua për t’u gjykuar në nëntor 2022.
