Kremlini e cilëson “luftë hibride” rrjedhjen e informacionit mbi një bisedë telefonike mes dy zyrtarëve të lartë
Rusia ka denoncuar si luftë hibride dhe një përpjekje të papranueshme për të minuar negociatat e paqes në Ukrainë, rrjedhjen e një regjistrimi të një bisede telefonike mes këshilltarëve të Donald Trump dhe Vladimir Putin.
Mediat ndërkombëtare, si Bloomberg News, kanë publikuar transkriptin e një telefonate të zhvilluar më 14 tetor. Në këtë bisedë, i dërhuari i Trump, Steve Witkoff, i ka ofruar këshilla ndihmësit të politikës së jashtme të Putinit, Yuri Ushakov, mbi mënyrën se si t’i “shiste” Trumpit një plan paqeje për Ukrainën.
Bloomberg News ka deklaruar se ka pasur qasje në regjistrimin e kësaj bisede tepër delikate mes zyrtarëve të lartë nga dy superfuqitë bërthamore, por nuk ka dhënë detaje mbi mënyrën e fitimit të këtij informacioni.
Yuri Ushakov ka theksuar se bisedat e tij me Witkoff nuk ishin të destinuara për publikim dhe nuk duhet të ishin bërë publike. “Kjo është e papranueshme,” ka deklaruar Ushakov për mediat ruse, duke shtuar se rrjedhja e këtij informacioni kishte si qëllim të pengonte bisedimet mes Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara.
Në një intervistë për gazetën Kommersant, Ushakov ka shpjeguar se disa nga bisedat e tij janë zhvilluar nëpërmjet kanaleve të koduara qeveritare, të cilat zakonisht janë të sigurta nga përgjimi, përveçse nëse njëra nga palët ka ndërmend ta bëjë këtë qëllimisht.
“Ka disa biseda në WhatsApp që, në përgjithësi, dikush mund t’i dëgjojë disi,” ka thënë Ushakov. Ai ka përjashtuar mundësinë që informacioni të ketë rrjedhur nga vetë pjesëmarrësit në telefonatë dhe ka deklaruar se do ta ngrejë çështjen me Witkoff.
Drejtori Ekzekutiv i Fondit Rus të Investimeve Direkte, Kirill Dmitriev, i cili është dhe i dërhuari për investime i Putinit, ka deklaruar se raporti i Bloomberg për një bisedë telefonike të zhvilluar më 29 tetor mes tij dhe Ushakovit ishte “i rremë”.
