Gjykata e Lartë rrëzon rekursin e Ilir Metës; ish-Presidenti mbetet në qeli
Gjykata e Lartë ka rrëzuar kërkesën e Ilir Metës për ndryshimin e masës së sigurisë “arrest me burg”, duke lënë në fuqi vendimin e Apelit të Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO).
Rekursi, i cili kërkonte ndryshimin e masës së sigurisë “arrest me burg”, u depozitua nga avokati i Metës më 3 nëntor.
Kujtojmë se sot në GJKKO u shty seanca paraprake, pasi Ilir Meta ka marrë një avokat të dytë dhe mbrojtësi ligjor do të njihet me aktet e dosjes.
Në muajin korrik, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) përfundoi hetimet ndaj ish-presidentit Ilir Meta, i cili është edhe kryetar i Partisë së Lirisë, si dhe ndaj ish-bashkëshortes së tij, Monika Kryemadhi. Ata akuzohen për vepra penale të korrupsionit.
Disa muaj më parë, si i pandehur për këtë çështje është marrë edhe ish-kreu i AKEP, Pirro Xhixho, të cilit iu komunikua përfundimi i hetimeve të hënën, më 28 korrik.
Gjithashtu, SPAK ka marrë në cilësinë e të pandehurës për pastrim parash edhe financuesen e LSI-së, Ema Çoku dhe nënën e Monika Kryemadhit, Fatime Kryemadhi. Zonjës Çoku iu komunikua akuza të hënën, ndërsa Meta dhe Kryemadhi pritet të njihen të martën me përfundimin e hetimeve.
Ish-presidenti Meta akuzohet nga Prokuroria e Posaçme për tre çështje korrupsioni:
- Për dosjen e njohur si CEZ-DIA;
- Për përfitimin e vlerave monetare në këmbim të influencës së ushtruar në favor të një kompanie telekomunikacioni;
- Si dhe për marrëdhënien e dyshuar korruptive.
