Putin: Paqe me dorëzim territoresh Ukrainase

Putin: Nuk ka paqe nëse Ukraina nuk dorëzon territore

Vladimir Putin ka deklaruar se një draft-plan paqeje, të cilin Shtetet e Bashkuara dhe Ukraina e kanë diskutuar, mund të shërbejë si bazë për negociata të ardhshme për t’i dhënë fund luftës. Megjithatë, ai ka këmbëngulur se Ukraina do të duhet të dorëzojë territore për që marrëveshja të jetë e mundur.

“Në përgjithësi, ne pajtohemi që ky mund të jetë baza për marrëveshjet e ardhshme,” ka thënë Putin, duke shtuar se versioni i planit të diskutuar nga Uashingtoni dhe Kievi në Gjenevë, u është përcjellë Moskës. “Ne vëmë re se pala amerikane merr parasysh qëndrimin tonë në disa fusha,” ka theksuar ai. “Por në pika të tjera, ne duhet të ulemi dhe të flasim.”

Deklaratat e presidentit rus – i cili e ka përshkruar përsëri Volodymyr Zelenskyn si “të paligjshëm” – sugjerojnë se, pavarësisht optimizmit të Shtëpisë së Bardhë, ka pak shenja lëvizjeje në pikat kryesore të ngërçit, të cilat janë thelbësore për t’i dhënë fund luftës.

Duke folur me gazetarët gjatë një vizite pune në Kirgistan, Putin ka thënë se Rusia do ta ndalonte ofensivën e saj vetëm nëse forcat ukrainase tërhiqeshin nga zona të paspecifikuara që aktualisht janë nën kontrollin e Kievit.

“Nëse trupat ukrainase largohen nga territoret që kanë pushtuar, atëherë ne do të ndalojmë së luftuari,” ka thënë ai. “Nëse nuk e bëjnë këtë, ne do t’i arrijmë qëllimet tona ushtarakisht.”

Ai ka përsëritur gjithashtu pretendimin e tij se lidershipi i Ukrainës ishte “i paligjshëm”, duke argumentuar se kjo e bënte ligjërisht të pamundur nënshkrimin e një marrëveshjeje detyruese me Kievin dhe se çdo zgjidhje e ardhshme do të kërkonte njohje më të gjerë ndërkombëtare.

Putin ka konfirmuar se i dërguari special i SHBA-së, Steve Witkoff, do të udhëtojë drejt Rusisë në fillim të javës së ardhshme dhe ka hedhur poshtë akuzat se Witkoff kishte treguar paragjykime ndaj Moskës gjatë diskutimeve të paqes, duke i cilësuar ato si “të pakuptimta”. Witkoff, një bashkëpunëtor biznesi dhe zhvillues pronash i Trump, është përballur me kritika në Evropë dhe SHBA pasi një telefonatë e rrjedhur zbuloi se ai po këshillonte një ndihmës të lartë të Kremlinit se si Putin duhet t’i trajtojë negociatat me Trumpin.

Taktikat e fundit negociuese të Rusisë pasqyrojnë ato që ka përdorur që nga rizgjedhja e Trump: Kremlini sinjalizon një gatishmëri për të shqyrtuar marrëveshje të mundshme paqeje, ndërsa nuk tregon asnjë prirje për t’u tërhequr nga kërkesat e tij maksimaliste – shumica e të cilave shihen në Kiev si të papranueshme dhe të barabarta me kapitullim.

Scroll to Top