Me parullën e “paqes”, Rama ringjall projektin e debatueshëm të amnistisë fiskale
Një projektligj i ri, i propozuar nga kryeministri Edi Rama dhe aktualisht në procedurë parlamentare, rikthen të njëjtat ide të një amnistie fiskale për para potencialisht të lidhura me veprimtari kriminale. Ky projekt, disa vite më parë, u bllokua nga kundërshtitë e Bashkimit Evropian.
Sipas projektligjit, individët apo subjektet ekonomike që disponojnë para të padeklaruara pranë autoriteteve, pavarësisht nëse këto të ardhura vijnë nga evazioni fiskal, kontrabanda apo aktivitete të tjera, do të kenë mundësinë t’i deklarojnë ato pranë organeve tatimore me një tatim minimal prej 5%. Përfituesit nuk do t’i nënshtrohen inspektimeve për origjinën e këtyre fondeve dhe as nuk do t’u bëhen pyetje lidhur me burimin e tyre.
Ky është thelbi i të ashtuquajturës “paqe fiskale”, një iniciativë qeveritare që, përveç objektivit tradicional të fshirjes së detyrimeve tatimore të paarkëtueshme, krijon një mundësi të gjerë për pronarët e kompanive. Ata do të mund të deklarojnë asete që aktualisht mbajnë jashtë bilancit, pa pasur nevojë të japin llogari për origjinën e tyre.
Detyrimi i vetëm përfituesit është pagesa e një takse prej 15% nëse fitimi i rideklaruar është 18% më i lartë se ai i deklaruar në tre vitet e fundit, dhe 5% për fitime më të larta se kaq.
Ideja fillestare për një amnisti fiskale i kishte lindur qeverisë “Rama” në vitin 2020. Pas protestave nga Bashkimi Evropian, planet për miratimin e saj pa shumë vëmendje në parlament dështuan. Projektligji kaloi në një proces rishikimi, por dështoi sërish në vitin 2022, përsëri për shkak të protestave nga Brukseli.
Projektligji i ri, i cili u miratua paraprakisht në parlament para se të shqyrtohet nen për nen, është në thelb i njëjti me iniciativën e mëparshme, me ndryshimin kryesor në emërtim. Kësaj radhe, ai nuk quhet “amnisti fiskale”, por është maskuar nën termin “paqe fiskale”. Të përbashkëtat mes “paqes” dhe “amnistisë” janë:
- Masa e tatimit: 5% parashikohej të paguanin individët dhe bizneset që do të përfitonin nga procesi i amnistisë fiskale, dhe 5% kërkohet edhe sot nga “paqja”.
- Afati kohor: Ashtu si në rastin e amnistisë, subjektet përfituese të “paqes” do të kenë një vit kohë për të deklaruar paratë e padeklaruara apo asetet e tjera fizike.
Për shembull, një biznes që ka deklaruar, le të themi, 10 mijë euro fitime neto për tre vitet e fundit, do të ketë mundësinë të deklarojë 100 mijë, 200 mijë apo praktikisht çdo shumë fitimesh të padeklaruara, për të cilat do të paguajë një shumë prej 5%.
Ashtu si në rastin e amnistisë, thelbi i projektligjit të ri është që, sapo të marrin kërkesën për marrëveshje, organet tatimore humbasin të drejtën për kontroll, ndërsa procesi mbetet ngushtësisht konfidencial. Nuk ekziston asnjë klauzolë për të verifikuar nëse paratë shtesë të vetëdeklaruara kanë ardhur nga evazioni i zakonshëm fiskal, apo janë siguruar nga trafiku i drogës, korrupsioni apo aktivitete të tjera të paligjshme.
Një ndryshim nga projektligji i mëparshëm i amnistisë është se, në këtë rast, Personat e Ekspozuar Politikisht (PEP) janë përfitues të papërjashtuar.
