Merz kritikon Orbanin: Vizitë në Moskë pa mandat nga BE

Merz kritikon kryeministrin hungarez: Orban po shkon në Moskë pa mandat nga BE

Kancelari gjerman, Friedrich Merz, ka kritikuar vizitën e kryeministrit hungarez, Viktor Orbán, në Moskë. Merz kujtoi se sulmet ajrore ruse u intensifikuan pas vizitës së fundit të Orbánit në Moskë, në korrik 2024, pak kohë pasi Hungaria mori presidencën e Bashkimit Evropian.

“Ajo vizitë, në atë periudhë, nuk ishte vetëm e pasuksesshme,” tha Merz gjatë një konference të përbashkët për shtyp me presidentin slloven, Robert Golob, në Berlin. “Pak ditë pas saj, u kryen disa nga sulmet më të rënda nga ushtria ruse, përfshirë goditje ndaj infrastrukturës civile në Ukrainë.”

Ai shtoi se Orbán shkoi në Rusi pa mandat dhe pa asnjë koordinim nga radhët e BE-së. “Shpresoj që këtë herë të mos shohim një reagim të ngjashëm nga Rusia. Por ai po shkon pa mandatin e BE-së dhe pa asnjë koordinim me ne,” theksoi Merz.

Golob foli edhe më drejtpërdrejt: “Kam frikë se Viktor Orbán nuk po luan më për ekipin e Europës prej kohësh.”

“Ne nuk presim asnjë përfitim apo rezultat pozitiv nga kjo vizitë,” shtoi ai, duke theksuar se Orbán po vepron para së gjithash në interes të tij.

Lideri hungarez pritet të zhvillojë bisedime në Kremlin me presidentin rus, Vladimir Putin, për furnizimin me energji dhe për luftën në Ukrainë, siç konfirmoi ai para nisjes nga Budapesti drejt Moskës.

Putini dhe Orbani kanë zhvilluar vazhdimisht bisedime të drejtpërdrejta, edhe pas nisjes së luftës së Rusisë kundër Ukrainës, gjë që ka nxitur vazhdimisht kritika brenda Bashkimit Evropian.

Scroll to Top