Trump ndalon migrimin nga vendet e varfra

Trump shpall pezullim të madh: Nuk do të ketë më migrim drejt SHBA nga vendet e varfra

Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se do të “pezullojë përgjithmonë migrimin” drejt Shteteve të Bashkuara nga të gjitha “vendet e botës së tretë”.

Në një postim në platformën Truth Social, ai argumentoi se ky veprim do t’i mundësonte Amerikës “të rikuperojë sistemin” dhe, sipas tij, të riparojë dëmet që politikat e mëparshme kanë shkaktuar në standardet e jetesës së amerikanëve.

Trump nuk specifikoi cilat vende do të përfshiheshin në këtë ndalim të ri. Deklaratat e tij erdhën një ditë pasi një shtetas afgan u akuzua për sulmin ndaj dy anëtarëve të Gardës Kombëtare në Uashington, ku njëri prej tyre humbi jetën.

Trump e përdori këtë ngjarje si shembull të një kërcënimi të madh për sigurinë kombëtare dhe, menjëherë pas sulmit, premtoi të dëbojë çdo të huaj që “nuk i përket këtij vendi”.

Paralelisht, Shtetet e Bashkuara pezulluan përpunimin e të gjitha kërkesave për emigracion nga Afganistani, duke nisur rishikimin e procedurave të sigurisë. Administrata e tij njoftoi gjithashtu se do të rishqyrtojë lejet e qëndrimit të përhershëm (green card) dhënë shtetasve nga 19 vende, përfshirë Afganistanin, Kubën, Haitin, Iranin, Somalinë dhe Venezuelën. Nuk u bënë të ditura detaje se si do të funksionojë procesi i riexaminimit.

Në postimin e tij të enjten mbrëma, Trump premtoi të heqë të gjitha përfitimet federale për personat që nuk janë shtetas amerikanë, ndërsa përdori gjuhë të fortë kundër refugjatëve. Ai fajësoi migrantët për “dështimet dhe disfunksionet” në shoqërinë amerikane dhe akuzoi se “qindra mijëra refugjatë somalezë po marrin nën kontroll shtetin e Minnesotës”.

“Do të pezulloj përgjithmonë migrimin nga të gjitha vendet e botës së tretë”, shkroi ai, duke e kthyer një urim për Ditën e Falënderimeve në një mesazh kundër emigracionit.

Ekspertë të emigracionit e cilësuan reagimin e Trump si një “gjah shtrigash” politik, duke theksuar se motivet e sulmuesit nuk janë ende të qarta. Jeremy McKinney nga Shoqata Amerikane e Avokatëve të Emigracionit tha për BBC se radikalizimi apo problemet e shëndetit mendor “nuk kanë kombësi”.

Autoritetet amerikane konfirmuan se Rahmanullah Lakanwal, i dyshuari i sulmit, kishte ardhur në SHBA në vitin 2021 përmes programit që ofronte mbrojtje për afganët që kishin punuar me forcat amerikane pas tërheqjes nga Afganistani. Ai kishte punuar gjithashtu me CIA-n, ndërsa kërkesa e tij për azil ishte miratuar fillimisht këtë vit. Ai sulmoi dy pjesëtarë të Gardës Kombëtare në Uashington, duke vrarë 20-vjeçaren Sarah Beckstrom, ndërsa ushtarja tjetër, Andrew Wolfe, mbetet në gjendje kritike.

Trump e cilësoi ngjarjen një “akt terrori” dhe e përdori atë për të ashpërsuar më tej qëndrimin e tij kundër emigracionit. Ndërkohë, Shtëpia e Bardhë dhe USCIS nuk kanë sqaruar ende se si do të zbatohet konkretisht ndalimi i ri që Trump ka paralajmëruar.

Scroll to Top