Hetim për zhurmë dhe manovra rrezikshme në Durrës

Durrës, nën hetim të rinjtë që bënë zhurmë dhe “qëruan goma” në bulevard për Ditën e Flamurit

Policia e Durrësit ka proceduar penalisht dy drejtues automjetesh, pasi gjatë festimeve për Ditën e Pavarësisë, të premten në mbrëmje, kanë prishur qetësinë publike me zhurmat e shkaktuara nga sistemet e shkarkimit të automjeteve dhe duke kryer manovra të rrezikshme me goma në Bulevardin Dyrrah.

“Gjatë patrullimeve u konstatuan dy të rinj që shqetësonin banorët dhe qytetarët në Bulevardin Dyrrah dhe zonat përreth, përmes zhurmave të shkaktuara nga sistemet e shkarkimit të automjeteve që drejtonin dhe duke kryer manovra me goma. Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Durrës referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal ndaj shtetasve A. Ll., 30 vjeç, dhe K. K., 21 vjeç, të dy banues në Durrës. Po ashtu, u sekuestruan dy automjete, tip Audi dhe BMW, si dhe një fenelinë”, njofton policia.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Durrësit, për veprime të mëtejshme.

Scroll to Top