“`html
Industria përpunuese në recesion të zgjatur, hyn në vitin e katërt të rënies, bashkë me bujqësinë
Sektori i industrisë në tërësi u rikuperua lehtë me një rritje prej 0.47% në tremujorin e dytë të vitit 2026, pas një rënieje të vazhdueshme që nga tremujori i fundit i vitit 2024. Megjithatë, industria përpunuese, si dega kryesore e saj, ka hyrë në një fazë të gjatë recesioni.
Industria përpunuese, e cila përfaqësohet kryesisht nga fabrikat dhe ishte një nga sektorët udhëheqës në rimëkëmbjen ekonomike pas pandemisë, shënoi një rënie vjetore prej -1.97% në tremujorin e dytë të vitit 2026. Ky sektor tashmë ka hyrë në vitin e katërt të rënies dhe situata nuk paraqitet optimiste. Faktorët kryesorë që kanë kontribuar në këtë situatë janë rënia e euros, kufizimet e kërkesës nga jashtë, si dhe rritja e kostove në tregun e brendshëm, të cilët kanë çuar fabrikat në një rënie të lirë.
Rënia e pjesës së përpunimit në totalin e PBB-së bëhet edhe më e ndjeshme për shkak të peshës së lartë që ajo zë brenda industrisë. Në vitin 2025, industria kontribuoi me 10% në PBB, ndërsa rreth 65% e kësaj pjese i takonte industrisë përpunuese.
Florian Zekja, Kryetari i Shoqatës Manifaktura Shqiptare, theksoi se sigurimi i lëndëve të para, energjisë, pajisjeve mjekësore, produkteve industriale dhe zinxhirëve të furnizimit duhet të trajtohet si një prioritet kombëtar. Ai shtoi se pavarësia ekonomike, qoftë edhe e pjesshme, është një domosdoshmëri strategjike. Zekja gjithashtu vuri në dukje se një ekonomi që mbështetet pothuajse vetëm te shërbimet, si turizmi apo ndërtimi, pa një bazë të fortë prodhuese, është më e cenueshme ndaj krizave.
Të dhënat tregojnë se industria përpunuese pati një rikuperim të fortë pas goditjes së vitit 2020, me rritje mesatare prej rreth 12% në vitin 2021 dhe 5.5% në vitin 2022. Megjithatë, pas kësaj periudhe, ritmet e zgjerimit u zbehën dhe sektori kaloi në rënie të vazhdueshme. Në vitin 2025, sektori ra me 1.4%, dhe tendenca rënëse vijoi edhe në dy tremujorët e parë të vitit 2026.
Sipas Zekjes, sektorët tradicionalë të industrisë, përfshirë tekstilet dhe fasonerinë, janë përballur me rritje të kostove të punës, mungesë fuqie punëtore dhe konkurrencë më të fortë nga tregjet e tjera. Vetëm industria përpunuese (përjashtuar industrinë nxjerrëse si dhe energjinë elektrike, gazin, ujin dhe trajtimin e mbetjeve, që janë kryesisht shtetërore) kishte rreth 95 mijë të punësuar në vitin 2024 (viti i fundit kur raportohen të dhënat), duke përbërë 17% të totalit të punësimit të gjeneruar nga bizneset.
Bujqësia në rënie të lirë
Ndryshe nga industria, dobësimi i bujqësisë ka qenë më i hershëm dhe më i qëndrueshëm. Pas një rritjeje të lehtë në vitet 2019 dhe 2020, sektori ka hyrë në një cikël negativ, me tkurrje të vazhdueshme pas vitit 2021. Rënia më e fortë u regjistrua në vitin 2022, kur aktiviteti bujqësor u tkurr me rreth 4.8%, ndërsa edhe në vitet pasuese sektori ka vijuar me norma negative.
Dobësimi i bujqësisë lidhet me një kombinim faktorësh strukturorë dhe afatshkurtër. Sektori vijon të përballet me rënie dhe plakje të popullsisë në fshat, mungesë subvencionesh dhe investimesh të mjaftueshme në teknologji dhe mekanizim, si dhe vështirësi në sigurimin e fuqisë punëtore. Rritja e kostove të inputeve bujqësore, përfshirë naftën, plehrat dhe ushqimet për blegtorinë, ka ushtruar presion mbi prodhuesit, ndërsa ndryshimet klimatike dhe kushtet e pafavorshme të motit po ndikojnë në prodhimin e disa kulturave.
Një tjetër faktor madhor është edhe konkurrenca nga importet dhe vështirësitë e fermerëve për të garantuar dalje të qëndrueshme në treg. Pesha e përgjithshme e bujqësisë në PBB ka vijuar rënien e saj graduale nga rreth 15.4% që ishte një vit më parë, e ndikuar nga sfidat e motit, kostot e larta të prodhimit, rënia e eksporteve bujqësore në disa periudha dhe konkurrenca në treg.
Pavarësisht tkurrjes së prodhimit, bujqësia vazhdon të mbetet sektori me përqindjen më të lartë të punësimit informal dhe tradicional në vend, duke siguruar jetesën për një pjesë të konsiderueshme të popullsisë rurale (historikisht duke përfshirë mbi 35% të të punësuarve).
Ekonomia u rrit me 3.61% në tremujorin e dytë të vitit 2026. Megjithatë, ndikimin kryesor në këtë rritje, me rreth 70%, e dha administrata publike dhe taksat e subvencionet neto, ndërsa sektorët realë, me përjashtim të tregtisë që po nxitet nga turizmi, po kalojnë një krizë të zgjatur.
“`
