Pse Shqipëria blen qumësht nga Serbia, ndërsa fermeri shqiptar po mbyll stallën?
Shqipëria ka pasuri të konsiderueshme në kullota, një traditë të theksuar blegtorale dhe njerëz me aftësi për të prodhuar qumësht. Megjithatë, vërehet një prani gjithnjë e më e madhe e qumështit të importuar në raftet e dyqaneve dhe në linjat e përpunimit. Serbia është një nga vendet nga të cilat importojmë qumësht. Pyetja kryesore që shtrohet është: pse shteti shqiptar i ka lënë fermerët vendas në kushte ku nuk mund të konkurrojnë?
Të dhënat e paraqitura nga Faktoje.al, japin një sinjal të qartë alarmi. Prodhimi i qumështit në Shqipëri ka shënuar një rënie, nga rreth 1,013 milionë tonë në vitin 2021, në 868,3 mijë tonë në vitin 2025. Kjo përfaqëson një ulje prej rreth 145 mijë tonësh në harkun kohor prej katër vjetësh. Ndërkohë, Serbia ka qenë një nga furnizuesit kryesorë të tregut shqiptar në periudhën 2021–2023; vetëm në vitin 2023 nga kjoategori u importuan rreth 7,8 milionë kilogramë qumësht.
Materiali gjithashtu thekson se importet nga Serbia kanë pësuar një rënie në vitin 2024, duke lënë Hungarinë në pozicionin e furnizuesit kryesor. Kjo sugjeron se Serbia nuk është e vetmja arsye e problemit. Sfida reale është varësia në rritje nga furnizimet e huaja, ndërkohë që prodhimi i brendshëm po tkurret.
Dallimi midis kushteve të fermerëve në Shqipëri dhe Serbi është domethënës. Sipas të dhënave të cituara nga Faktoje.al, Serbia në vitin 2025 ofroi mbështetje financiare për qumështin e dorëzuar te përpunuesit e regjistruar, nëpërmjet pagesave për litër, si dhe mbështetje për lopët e qumështit dhe ripërtëritjen e tufës. Fermeri serb hyn në treg duke përfituar nga një mbështetje e lidhur drejtpërdrejt me prodhimin.
Nga ana tjetër, fermeri shqiptar përballet me sfida të shumta:
- Kostoja e lartë e ushqimit për kafshët.
- Çmimet e karburantit.
- Shërbimet veterinare.
- Mungesa e fuqisë punëtore.
- Një çmim grumbullimi që, në shumë raste, mezi mbulon kostot e prodhimit.
Sipas një eksperti të cituar në material, kostoja për prodhimin e një litri qumësht mund të jetë rreth 48–50 lekë për fermerin shqiptar, ndërsa çmimi i grumbullimit, varësisht nga cilësia dhe kontrata, arrin deri në 55 lekë. Me një diferencë kaq të ngushtë, mundësia për të investuar në blerjen e pajisjeve, përmirësimin e racës, shtimin e tufës apo mbajtjen e të rinjve në fshat, bëhet e pamundur.
Kur llogaria financiare nuk del, fermeri detyrohet të pakësojë numrin e krerëve të bagëtive ose të braktisë plotësisht aktivitetin. Pasojë e kësaj është kërkesa e përpunuesve për qumësht nga jashtë vendit, për të siguruar furnizim të qëndrueshëm. Ky është një rreth vicioz që qeveria duhet ta thyejë. Nuk mjafton t’i thuhet fermerit të bëhet konkurrues; konkurrenca kërkon kushte.
Fermave të vogla dhe të shpërndara u nevojitet mbështetje për:
- Krijimin e pikave të grumbullimit.
- Sisteme ftohjeje.
- Analiza cilësore.
- Kontrata të qëndrueshme me përpunuesit.
- Mekanizim adekuat.
- Mbështetje për prodhimin e ushqimit blegtoral.
Subvencionet duhet të drejtohen te prodhuesi që dorëzon qumësht cilësor dhe të deklaruar. Kjo do të ndihmonte fermerin të siguronte të ardhura më të parashikueshme dhe industrinë të sigurojë lëndë të parë vendase.
Qeveria duhet të japë përgjigje edhe lidhur me politikat fiskale. Skema e kompensimit të TVSH-së për fermerët është ulur nga 20% në 6% dhe më pas është hequr plotësisht. Njëkohësisht, fermerit shqiptar nuk i është dhënë një mbështetje për çdo litër qumësht të dorëzuar, e krahasueshme me skemat e vendeve të rajonit. Çdo skemë e re duhet të projektohet me kujdes, në mënyrë që fondet të shkojnë drejt prodhimit real dhe të mos përfundojnë te ndërmjetësit.
Mungesa e një reagimi efektiv ndaj rënies së prodhimit nuk mund të konsiderohet si një politikë bujqësore. Edhe bllokimi i fondeve IPARD ka një peshë të konsiderueshme në këtë situatë. Kur fermerëve u nevojiten investime në stalla, pajisje dhe teknologji, vonesa në ofrimin e një burimi kaq të rëndësishëm financimi u heq atyre mundësinë për t’u rritur.
Qeveria ka përgjegjësinë të zgjidhë problemet që pengojnë qasjen në këto fonde dhe, në të njëjtën kohë, të mos lërë blegtorët pa mbështetje. Programi IPARD III është pjesë e kornizës së ndihmës së Bashkimit Europian për zhvillimin rural në Shqipëri.
Një pyetje e rëndësishme i drejtohet edhe konsumatorit: a e di ai gjithmonë origjinën e qumështit të produkteve të bulmetit që blen? Importi është i ligjshëm, por etiketimi duhet të jetë i qartë. Qujmshti i importuar nuk duhet të krijojë te blerësi përshtypjen se po blen prodhim vendas. Transparenca mbron konsumatorin dhe i jep vlerë punës së fermerit shqiptar.
Shqipëria ka potencialin të prodhojë më shumë për tregun e vet dhe, duke rritur cilësinë dhe kapacitetet, të zgjerojë edhe eksportet. Kjo nuk realizohet me thirrje të thjeshta për potencialin e fshatit. Eksporti kërkon sasi të qëndrueshme, standarde të larta, gjurmueshmëri dhe përpunim konkurrues.
Hapi i parë sot është të ndalojmë tkurrjen e tufave dhe të bëjmë të leverdishme prodhimin e qumështit në vend. Nuk ka asgjë të gabuar në tregtimin me Serbinë apo me çdo vend tjetër. E gabuar është që blegtori shqiptar të mbetet pa një politikë serioze mbështetëse, ndërkohë që Shqipëria shpenzon gjithnjë e më shumë për të blerë qumësht jashtë.
Qeveria duhet të paraqesë një plan të matshëm, ku të përcaktohet:
- Sa do të mbështetet litri i prodhuar dhe i dorëzuar formalisht.
- Si do të ulen kostot.
- Ku do të ndërtohen kapacitetet e grumbullimit.
- Si do të rritet prodhimi vendas vit pas viti.
Nëse këto përgjigje nuk jepen, çdo stallë që mbyllet sot do të sjellë më shumë importe nesër. Dhe çdo litër qumësht që mund të prodhohej në Shqipëri, por blihet jashtë, përfaqëson një mundësi të humbur për fermerin, për fshatin dhe për ekonominë shqiptare.