Tritol në banesën e Gentian Zotos, nëna e tij shpëton pa lëndime
Një shpërthim me lëndë eksplozive tritol ka ndodhur mëngjesin e sotëm në lagjen “Partizani” në Vlorë. Shpërthimi ka ndodhur në derën e apartamentit të Gentian Dautajt, i njohur gjithashtu si “Gentian Zoto”. Aktualisht, Dautaj ndodhet në burg, ku vuan një dënim prej 35 vitesh për tentativën e vrasjes së Ines Hajrullës.
Sipas Policisë Kriminale në Vlorë, Dautaj konsiderohet pjesë e grupit të njohur si “Çipurit”, i cili ka pasur përplasje të vazhdueshme me grupin e Ines Hajrullës.
Të dhënat paraprake tregojnë se një person i paidentifikuar ka shkuar gjatë natës dhe ka vendosur sasinë e tritolit në derën e apartamentit. Në banesë gjendej vetëm nëna e Dautajt, e cila fatmirësisht nuk ka pësuar lëndime. Dëmet e shkaktuara nga shpërthimi janë vetëm materiale dhe kryesisht në derën e hyrjes.
Ndërkohë, çështja penale që përfshin Gentian Dautajn dhe persona të tjerë ka kaluar për shqyrtim në Gjykatën e Lartë, pasi më parë ishte në Gjykatën e Apelit në Tiranë. Hetimet janë duke vijuar për identifikimin dhe kapjen e autorit të këtij shpërthimi.
Historiku i ngjarjeve të mëparshme:
- Një shpërthim me eksploziv ka ndodhur gjithashtu në banesën e Bakie Zotos (nënës së Gentian Zotos) në Vlorë, para mesnatës që shënoi fillimin e ditës së sotme.
- Në tetor 2023, Gjykata e Apelit Tiranë shpalli fajtor dhe dënoi me 35 vite burgim Daut Elmazin (Gentian Dautaj) për akuzën e “Vrasjes në rrethana cilësuese” të mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim. Ai u dënua gjithashtu edhe për mbajtje pa leje dhe prodhim armësh, eksplozivësh dhe municionesh.
- Igli Memaj (Suloti) u dënua me 30 vite burgim për të njëjtën akuzë, ndërsa Serxhio Ademi (Cima) dhe Albano Goxhaj u dënuan me 25 vite heqje lirie.
- Ngjarja për të cilën u dënuan këta persona ishte atentati i ndodhur më 10 maj 2019, ku Inez Hajrulla u qëllua me armë zjarri nga një automjet në lëvizje teksa ishte ulur në një lokal në lagjen “Uji i Ftohtë” në Vlorë. Hajrulla i shpëtoi atentatit, por Dajko Cenodemaj, i cili ndodhej aty rastësisht duke pirë kafe, u plagos.
- Automjeti i përdorur nga autorët u gjet i djegur në Babicë të Vogël.
- Policia dhe prokuroria e Vlorës identifikuan nëntë persona të përfshirë në këtë ngjarje, mes tyre edhe Fatmir Hyseni, i njohur si “Doqia”, i cili vijon të jetë në kërkim edhe për ekzekutimin e Santiago Malkos.
- Pamjet filmike nga vendi i ngjarjes kanë treguar se automjeti i dyshuar, një “Land Rover” jeshil me maska në kokë, iu afrua lokalit në Lungomare, ku një person doli nga dera e pasme dhe më pas gjashtë persona u ngritën nga tavolinat dhe ikën me vrap.
