Viktima nga moti ekstrem në Sumatra: 442 të vdekur, qindra të zhdukur

Rritet në 442 bilanci i viktimave nga moti ekstrem në Sumatra të Indonezisë, qindra të zhdukur

Numri i personave të vdekur nga moti ekstrem që ka goditur tre provinca në ishullin indonezian të Sumatrës ka arritur në 442. Gjithashtu, 402 persona rezultojnë ende të zhdukur dhe rreth 290,000 banorë janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre.

Të dhënat u bënë publike nga Agjencia Kombëtare e Menaxhimit të Fatkeqësive (BNPB), e cila raportoi se mbi 1.1 milion njerëz janë prekur nga stuhitë shkatërruese.

Reshjet e dendura janë shkaktuar nga ciklonet Senyar dhe Koto, të cilat janë përshkruar si ngjarje të rralla për rajonin dhe kanë qenë aktive që prej 25 nëntorit. Pasojat e tyre po rëndohen nga rrëshqitjet e dheut dhe ndërprerjet e gjera të energjisë elektrike, që po pengojnë ndjeshëm operacionet e emergjencës.

Sipas autoriteteve, disa zona të prekura mbeten ende të paarritshme për ekipet shpëtuese, ndërsa rreziku i rrëshqitjeve të tjera dhe i përmbytjeve të reja vazhdon të jetë i lartë.

Scroll to Top