Berisha: Droga përdor Portin e Durrësit, ku nuk sekuestrohet asnjë kilogram kokainë
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka deklaruar se Elvis Doçi dhe Kreshnik Farruku, dy persona të njohur për autoritetet ligjzbatuese në lidhje me trafikun e drogës, janë parë duke pirë kafe me Drejtuesin e SPAK, Altin Dumanin. Ndërkohë, sipas tij, në Portin e Durrësit nuk sekuestrohet asnjë sasi droge.
Duke folur për gazetarët pas daljes nga SPAK, lideri i opozitës theksoi se këta persona, të cilët i quajti “Troplinët”, po përdorin portin e Durrësit prej 4 vitesh, ndërkohë që aty nuk kapet asnjë kilogram kokainë.
Gjithashtu, Kryedemokrati përmendi operacionin e autoriteteve italiane javën e kaluar në Brescia, ku u sekuestruan 1.3 ton kokainë.
“Aty nuk ishte pushim. Aty ishte Poja, kishte Elvis Doçin në zyrë. Ai është në kërkim, por ata aty po jepnin fitimin e ngarkesave të fundit. Por kishte aty edhe Kreshnik Farrukun, dy të fundit, të cilët i detyrohen Troplinit lirinë ku janë dhe fshehjen e mandat-arresteve. Ju e morët vesh që operacioni i fundit kishte në epiqendër përsëri Troplinin, Elvis Doçin. Pra, ka 4 vite që në portul kryesor të vendit, që administrohet nga Troplinët, nuk kapet asnjë kg kokainë, ndërkohë që nga ky port nisin drejt Italisë dhe vendeve të tjera tonelata dhe tonelata. Javën e kaluar, operacioni në Brescia, që kishte në epiqendër Elvis Doçin, rezultoi se kishin nisur nga Durrësi 1.3 ton kokainë,” deklaroi Berisha.
