Hetim Gjeorgji: “Gazi Helmues” ndaj Protestuesve

Hetimi i BBC-së për protestat në Gjeorgji, autoritetet lokale nisin hetimin për përdorimin e “gazit helmues” ndaj qytetarëve.

Gjeorgjia njoftoi sot se ka nisur një hetim paraprak pas raportimit të BBC-së se autoritetet e vendit kanë përdorur një substancë kimike të ndaluar nga organizatat ndërkombëtare për të shpërndarë protestat kundër qeverisë.

Sipas BBC-së, autoritetet gjeorgjiane kanë përdorur “bromobenzilcianid”, një lloj gazi lotsjellës që daton nga Lufta e Parë Botërore dhe që mund të shkaktojë djegie të lëkurës, kollë dhe të vjella. Shërbimet e sigurisë thanë se po hetojnë për të kuptuar “mbi çfarë informacioni u bazua BBC” dhe për të vlerësuar saktësinë e këtyre pretendimeve.

Protestat shpërthyen më 28 nëntor 2024, pasi qeveria njoftoi pezullimin e procesit të anëtarësimit të Gjeorgjisë në BE, një objektiv që është i garantuar në Kushtetutën e vendit. Policia përdori masivisht topa uji, kimikate dhe gaz lotsjellës. Megjithatë, dhjetëra protestues përshkruan se uji që i godiste shkaktonte një ndjesi “djegieje” që nuk largohej as pas larjes.

“E ndjeje ujin të të digjte,” tha një protestues për BBC-në, duke iu referuar ujit të hedhur nga makinat e policisë.

Gjeorgjia është zhytur në krizë politike pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 2024, të cilat u fituan nga partia në pushtet “Ëndrra Gjeorgjiane”. Rezultati kundërshtohet nga opozita pro-evropiane, e cila organizon protesta masive me pjesëmarrjen e dhjetëra mijëra qytetarëve. Opozita akuzon qeverinë për autoritarizëm dhe afrimin me Rusinë në dëm të integrimit evropian.

Qeveria, nga ana e saj, pretendon se opozita po përpiqet të marrë pushtetin me dhunë dhe të çojë vendin drejt përplasjes me Moskën. Në disa protesta, policia ka përdorur gaz lotsjellës dhe topa uji për të shpërndarë turmat, ndërsa organizatat joqeveritare kanë denoncuar raste të abuzimit policor ndaj demonstruesve.

Scroll to Top