Strehim social për çiftet dhe familjet e reja! Zëvendëskryeministrja Koçiu prezanton planin “Shqipëria Sociale”, ja për çfarë bëhet fjalë
Zëvendëskryeministrja Albana Koçiu ka prezantuar prioritetin e ri të qeverisë për sezonin politik, duke u fokusuar te përmirësimi i cilësisë së jetës së qytetarëve. Programi “Shqipëria Sociale” do të fillojë këtë vjeshtë me një program të ri strehimi për çiftet dhe familjet e reja.
Në nisje të sezonit të ri politik, qeveria do të vendosë në qendër të vëmendjes “Shqipërinë Sociale”, me synimin që zhvillimi ekonomik i vendit të përkthehet në më shumë mundësi, politika sociale dhe mirëqenie për qytetarët. Sipas Koçiut, prioritet do të jetë rritja e cilësisë në arsim dhe shëndetësi, mbështetja për familjet e reja, fermerët, pensionistët dhe biznesin e vogël.
“Shqipëria ka hyrë në një fazë të re zhvillimi, ku objektivi nuk është më vetëm ndërtimi apo ofrimi i shërbimeve, por që përmirësimi të ndihet drejtpërdrejt në jetën e përditshme të çdo familjeje. Sfida jonë është që çdo familje ta ndiejë përmirësimin në jetën e saj të përditshme”, deklaroi zvëndëskryeministrja Albana Koçiu.
Një tjetër fokus do të jetë krijimi i më shumë mundësive për të rinjtë që duan të ndërtojnë të ardhmen e tyre në Shqipëri. Sipas zv.kryeministres, procesi i integrimit europian duhet të shoqërohet me përmirësime konkrete në jetën e qytetarëve.
“Standardi europian nuk duhet të mbetet vetëm një objektiv në letër. Ai duhet të ndihet në çdo shërbim, në çdo komunitet dhe në jetën e çdo qytetari”, u shpreh ajo.
Hapi i parë konkret i kësaj qasjeje do të nisë këtë vjeshtë, me programin e ri të strehimit për çiftet dhe familjet e reja, duke e vendosur strehimin si një nga ndërhyrjet e para në kuadër të “Shqipërisë Sociale”. Qeveria synon përmes kësaj qasjeje që rritja dhe zhvillimi i vendit të përkthehen në më shumë mundësi dhe siguri për qytetarët, me familjen, të rinjtë dhe mirëqenien sociale në qendër të politikave të reja.
