Korrupsioni me fondet e BE, fermerët grekë në ditën e dytë të protestës kombëtare
Në Greqi, fermerët kanë nisur që prej ditës së djeshme bllokimin e akseve rrugore kombëtare në shenjë proteste për vonesat në dhënien e subvencioneve të BE-së, pas një skandali korrupsioni.
Në rajonin e Thesalias, përleshje shpërthyen kur fermerët bllokuan autostradën Athinë-Selanik. Ata kërkojnë kompensime për subvencionet e vonuara dhe denoncojnë korrupsionin.
Policia përdori gaz lotsjellës për të shpërndarë protestuesit, ndërsa disa prej tyre u përpoqën të kalonin korsi dhe të përmbysnin një furgon policie.
Si pasojë e situatës, aksi rrugor Kakavijë-Janinë është bllokuar plotësisht nga ora 11:00 deri në 17:00 (orari shqiptar), duke ndërprerë qarkullimin për të gjitha automjetet, me përjashtim të rasteve emergjente shëndetësore.
Vonesat në pagesa vijnë mes hetimeve për një skandal ku disa fermerë dyshohet se kanë falsifikuar pronësinë e tokës dhe të bagëtive për të përfituar subvencionet bujqësore të BE-së.
Autoritetet greke kanë nisur hetime të veçanta, ndërsa parlamenti po heton agjencinë qeveritare OPEKEPE, e cila shpërndan rreth 2.5 miliardë euro ndihma të BE-së çdo vit për qindra mijëra fermerë.
Qeveria, e cila ka premtuar transparencë, ka pranuar se kësti i parë i subvencioneve të BE-së është më i ulët se vitin e kaluar dhe se mbi 40,000 aplikime të fermerëve janë nën inspektim.
