Berisha: Porti i Vlorës, 60 milionë euro koncesion për një magazinier të Salillarit
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, nga Foltorja e tretë e opozitës para Kryeministrisë, akuzoi qeverinë për skandale korrupsioni dhe kërkoi dorëheqjen e saj sa më parë.
Berisha u shpreh se opozitarët nuk do të largohen nga sheshi deri në rrëzimin e qeverisë “Rama”. Ai renditi skandalet e qeverisë, duke përmendur rastin e Triportit të Vlorës, ku sipas tij, koncesioni prej 60 milionë eurosh për portin i është dhënë një magazinieri të firmës Salillari.
Kreu i PD-së theksoi se kryeministri po përpiqet të bllokojë vendimin e Gjykatës së Krimit dhe Korrupsionit (GJKKO) për pezullimin e Belinda Ballukut, por opozita nuk do ta lejojë këtë.
“A do të vazhdojmë të vidhemi nga një kusar që s’ka normë morale, që do të bllokojë vendimin e Gjykatës? Ne nuk do t’i ndahemi atij deri në largimin nga pushteti, kjo është misioni ynë. Edi Rama po shkatërron kombin, nuk përdor kampe përqendrimi e burgje politike, por përdor vjedhjet. Vjedh me bandën e tij 90% të të gjitha fondeve të punëve publike.”
Berisha shtoi: “Një magazinier i Salillarit është fitues i tenderit me 60 milionë euro për portin e Vlorës. A ka akt më flagrant vjedhjeje sesa ky? Një magazinier, a mund të imagjinoni shqiptarë që rruga të ndërtohet me çmimin dhjetë herë më të lartë se në Evropë?”, u shpreh kreu i PD-së.
