Greqi: Hije skandali rreth 500 milionë euro fondeve të BE-së për matësat e ujit
Pas skandalit me fondet e destinuara për bujqësinë, Greqia përballet me një çështje tjetër të rëndësishme. Mediat raportojnë se Autoriteti Kombëtar i Transparencës ka nisur një verifikim lidhur me përdorimin e fondeve të Bashkimit Europian për instalimin e matësave inteligjentë të ujit.
Ky rast po hetohet gjithashtu nga Autoriteti i Konkurencës dhe Zyra e Prokurorit të BE-së në Athinë, ku është dorëzuar një dosje e konsiderueshme ankesash. Bëhet fjalë për rreth 500 milionë euro të shpërndarë në 55 projekte të miratuara, me një buxhet mesatar prej 9 milionë euro për projekt.
Sipas pretendimeve të ngritura, projektet mund të kenë pasur kosto të fryra në mënyrë artificiale. Të dhënat sugjerojnë se matësat inteligjentë janë blerë me çmime që tejkalojnë me 700% çmimet e tregut. Në disa raste, rezulton të mos jenë kryer studime teknike. Një shembull konkret përmendet nga ishujt Ciklade, ku një softuer është blerë për 2 milionë dollarë.
