Trump i kërkon Maduros të largohet nga Venezuela, negociatat vazhdojnë

Trump kërkoi që Maduro të largohej nga Venezuela brenda një jave

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, gjatë një bisede telefonike me homologun e tij venezuelian, Nicolas Maduro, të zhvilluar më 21 nëntor, i ka kërkuar atij të largohet nga vendi brenda shtatë ditëve. Sipas burimeve të agjencisë së lajmeve Reuters, biseda mes dy udhëheqësve ka zgjatur më pak se 15 minuta.

Gjatë bisedës, Trump i kishte vënë ultimatum Maduros se kishte një javë kohë për t’u larguar nga Venezuela bashkë me familjen e tij dhe për t’u vendosur kudo që dëshironte. Ky afat, siç sqarohet në artikull, ka përfunduar të premten, më 28 nëntor.

Pas kësaj, më 29 nëntor, Trump shkroi në platformën Truth Social, duke kërkuar që të gjitha linjat ajrore, pilotët, si dhe trafikantët e drogës dhe qenieve njerëzore të mbyllnin plotësisht hapësirën ajrore mbi Venezuelën.

Sipas agjencisë, Maduro ka deklaruar se ishte gati të largohej nga vendi nëse anëtarëve të familjes së tij do t’u jepej një amnisti e plotë ligjore, duke përfshirë heqjen e të gjitha sanksioneve të SHBA-së. Ai gjithashtu kërkoi pezullimin e procedurave kundër tij në Gjykatën Ndërkombëtare Penale dhe heqjen e sanksioneve të SHBA-së kundër 100 zyrtarëve venezuelianë.

Për më tepër, Maduro theksoi se Zëvendëspresidentja Ekzekutive e Venezuelës, Delcy Rodriguez, duhet të drejtojë një qeveri kalimtare deri në mbajtjen e zgjedhjeve të reja.

Megjithatë, sipas burimeve, Trump ka refuzuar shumicën e kërkesave të Maduros. Agjencia raporton se negociatat lidhur me një largim të mundshëm të Maduros nga Venezuela mund të vazhdojnë.

Scroll to Top