“`html
Nesër vendimi / BIRN: Rama shtoi presionin publik ndaj Gjykatës Kushtetuese për rastin “Balluku”
Një kolegj prej tre gjyqtarësh të Gjykatës Kushtetuese do të mblidhet të martën për të shqyrtuar kërkesën e kryeministrit Edi Rama për shfuqizimin e vendimit të Gjykatës së Posaçme, i cili pezulloi nga detyra zv.kryeministren Belinda Balluku. Balluku është marrë e pandehur për veprën penale të “shkeljes së barazisë në tendera”.
Kryeministri pretendon se me pezullimin e zv.kryeministres, gjykata ka shkelur kompetencat e tij si kryeministër. Për dy ditë, ai ka shtuar presionin publik ndaj Gjykatës Kushtetuese, duke kërkuar një vendimmarrje në favor të tij.
“Nëse pezullimi i një ministri nga një prokuror dhe gjykatës sot do të legjitimohej si një e drejtë e ligjshme e drejtësisë, atëherë shtrirja e krahut të gjyqësorit përtej kufirit ndarës me ekzekutivin dhe me vetë jetën politike do krijonte precedent unikal, të rrezikshëm dhe kërcënues. Sepse duke i hapur rrugë presioneve politike ndaj qeverisë, destabilizimit institucional dhe manipulimit të ekzekutivit nëpërmjet proceseve penale, do ndodhte diçka që është e panjohur në Europë,” tha Rama të hënën gjatë një video-mesazhi.
Rama e ka justifikuar ankimin në Kushtetuese si një betejë për pavarësinë e pushtetit ekzekutiv dhe mbrojtjen e kompetencave kryeministrore. Ai nuk përmendi akuza me të cilat përballet zv.kryeministrja e tij, as arsyet pse nuk i kërkoi dorëheqjen për t’iu përballur me drejtësinë pa ndikimin e pushtetit ekzekutiv.
Të dielën, ai përcjell të njëjtin mesazh, duke pretenduar se argumentet e tij mbështeteshin në opinionet e Komisionit të Venecias ose qëndrimet e Gjykatës Europiane të Strasburgut.
Kryeministria nuk iu përgjigj kërkesës së BIRN për referencat e akteve juridike të Komisionit të Venecias ku kryeministri mbështeti mbrojtjen e tij. Ndërkohë, opozita pretendoi të hënën se jo vetëm nuk ekzistonte asnjë akt i tillë, por se e vërteta ishte e kundërta.
Kryetari i PD-së, Sali Berisha, në një dalje për mediat sfidoi kryeministrin të publikonte aktet ku mbështet mbrojtjen e tij, duke shprehur urimin që Gjykata Kushtetuese “të mos bjerë viktimë e presioneve të gjithanshme mafioze”.
Ndërsa kreu i grupit parlamentar, Gazment Bardhi, iu referua dy opinioneve të Komisionit të Venecias që trajtojnë çështjen e imunitetit të zyrtarëve të lartë shtetërorë dhe pezullimin e tyre, duke hedhur poshtë pretendimet e Kryeministrit.
Në një opinion të vitit 2020 për Republikën e Kosovës, lidhur me pezullimin e zyrtarëve publikë, sipas Bardhit, Komisioni e konsideron pezullimin si një masë të ligjshme, efektive dhe të mbështetur nga standardet ndërkombëtare, sidomos në luftën kundër korrupsionit.
“Komisioni thekson se kjo masë mbështetet nga UNCAC (Konventa e OKB-së kundër Korrupsionit), e cila rekomandon që zyrtarët nën hetim mund të ‘pezullohen ose shkarkohen duke pasur parasysh edhe prezumimin e pafajësisë’,” shkroi më tej Bardhi, duke akuzuar kryeministrin si gënjeshtar.
Gjykata e Posaçme vendosi pezullimin e Ballukut nga detyra dhe ndalimin e udhëtimit jashtë vendit, duke i bllokuar pasaportën. Ajo u mor e pandehur disa javë më parë për akuzën e shkeljes së barazisë në tendera, pasi akuzohet se ka manipuluar dy tendera me vlerë 210 milionë euro, së bashku me vartësit e saj më të ngushtë, Evis Berberi, Gentian Gjyli dhe Erald Elezi, duke favorizuar kompanitë fituese.
Belinda Balluku iu bashkua kabinetit të Edi Ramës në vitin 2019 si ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe prej më shumë se pesë vitesh drejton portofolin më të madh qeveritar. Ajo është gjithashtu zyrtarja më e lartë që përballet aktualisht me akuza penale nga SPAK, pas një serie bashkëpunëtorësh të ngushtë të kryeministrit që kanë humbur postet e tyre për shkak të hetimeve, përfshirë Arben Ahmetajn (ish-zv.kryeministër), Erion Veliajn (kryebashkiak i Tiranës), Ilir Beqajn (ish-ministër i Shëndetësisë) dhe më herët Saimir Tahirin (ish-ministër i Brendshëm).
“`
