Oficeri i policisë mbetet në burg për akuzat seksuale

Oficeri i policisë mbetet në burg pasi akuzohet për marrëdhënie seksuale me një 18-vjeçare.

Gjykata e Dibrës ka vendosur të lërë në burg Jetmir Utën, 24 vjeç, efektiv policie, i akuzuar për veprat penale “Marrëdhënie seksuale me dhunë me të rritura” dhe “Shpërdorim detyre”.

Uta u arrestua më 29 nëntor, teksa po hynte në territorin e Shqipërisë, pasi kishte qenë disa ditë në arrati. Arrestimi erdhi pas kallëzimit të bërë në polici nga një 18-vjeçare, e cila, në praninë e nënës së saj, deklaroi se oficeri kishte kryer marrëdhënie seksuale me të pa dëshirën e saj, duke abuzuar me pozitën që mbante.

Pas denoncimit, Uta u largua drejt Kosovës dhe u shpall në kërkim. Sipas Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore (AMP), nën hetim është vënë edhe nëna e Jetmir Utës, e cila dyshohet se ka ushtruar presion dhe ka kërcënuar vajzën për ta detyruar të mos e kallëzonte në polici.

Gjatë hetimeve ka rezultuar se Uta e kishte kërcënuar 18-vjeçaren duke i kërkuar ta takonte sërish, pasi përndryshe do të publikonte foto dhe video komprometuese të saj, të cilat i kishte siguruar më parë në mënyrë të paligjshme.

Scroll to Top