Skandal në BE: Një tjetër zyrtar i lartë arrestohet bashkë me Mogherinin
Ish-shefja e diplomacisë së BE-së dhe aktualisht rektore e “Collegio d’Europa”, Federica Mogherini, është ndaluar në Bruksel si pjesë e një hetimi për mashtrim dhe korrupsion. Hetimi lidhet me një program trajnimi për diplomatët europianë.
Sipas mediave belge, së bashku me Mogherinin janë ndaluar edhe:
- Stefano Sannino: Ish-sekretar i përgjithshëm i Shërbimit Europian të Veprimit të Jashtëm (SEAE) dhe aktualisht drejtues i DG Mediterraneo në Komisionin Europian. Ai shërbeu si Sekretar i Përgjithshëm i EEAS për periudhën 2021-2025.
- Një menaxher i Kolegjit të Evropës, identiteti i të cilit nuk është bërë publik.
Zyra e Prokurorit Publik Evropian ka njoftuar se hetimet fokusohen te një rast i mundshëm mashtrimi lidhur me përdorimin e fondeve të Bashkimit Evropian, konkretisht për periudhën 2021-2022.
Veprat penale të raportuara përfshijnë mashtrim në dhënien e kontratave publike, korrupsion, konflikt interesi dhe shkelje të sekretit profesional.
Autoritetet hetuese po verifikojnë nëse Kolegji i Evropës apo drejtuesit e tij kanë pasur njohuri paraprake për kushtet e një tenderi publik për financimin e Akademisë së re Diplomatike Evropiane në Bruges. Ky institucion, themeluar në vitin 1949 dhe i njohur si një “inkubator” i zyrtarëve evropianë, bleu një ndërtesë në Spanjaardstraat në vitin 2022. Pak kohë më pas, EEAS lëshoi një thirrje për financim, e cila rezultoi në dhënien e 654,000 eurove për këtë institucion, sipas informacioneve nga media “Le Soir”.
Hetimi po shqyrton mundësinë e qasjes në informacion konfidencial lidhur me tenderin, i cili duhej të mbetej sekret për të garantuar trajtim të barabartë të organizatave kandidate.
Para se dosja t’i kalonte EPPO-së (Zyra e Prokurorit Publik Evropian), OLAF (Zyra Evropiane për Luftimin e Mashtrimeve) kishte intervistuar personat e përfshirë. Deri më tani, nuk ka indikacione se EPPO apo OLAF kanë arritur në përfundimin e kryerjes së ndonjë shkeljeje, dhe asnjë nga të arrestuarit nuk është akuzuar zyrtarisht, raporton italiania “La Repubblica”.
