Këlliçi: Mogherini tërheqë këmbën pas edhe për Marta Kos
Belind Këlliçi ka shfaqur entuziazëm pas arrestimit të Federica Mogherini. Ai shpreh dëshirën që ajo të tërheqë këmbën pas edhe për komisioneren Marta Kos.
“Koha është ilaçi më i mirë! Prokuroria Europiane (EPPO) dhe Zyra Evropiane kundër mashtrimit (OLAF) arrestojnë sot komunisten Federica Mogherini. Pas një karriere diplomatike, Mogherini ishte sistemuar në Kolegjin Europian, institucion ku mbante postin e rektores. Ky institucion, sipas Prokurorisë, shpenzoi plot 3.2 milion euro në një tender korruptiv për blerjen e një ndërtese strehimi për diplomatët nën trajnim.
Ne shqiptarët, sidomos banorët e Tiranës, e mbajmë Mogherinin mend shumë për keq, në momentet kur shfaqej krah të korruptuarit Erion Veliaj, duke na e shitur atë si model suksesi për të rinjtë. Personalisht, e kam denoncuar këtë tallje ndaj shqiptarëve që më 6 shtator 2024, në një nga protestat e organizuara para Bashkisë Tiranë. Në protestë denoncoheshin çdo javë fakte dhe prova të reja të hajdutërisë së Veliajt dhe grupit 5D, ndërsa Mogherini dhe ata që i mbanin ison, i bënin shqiptarët për idiotë!
Kjo euroburokrate e korruptuar u shiste moral qytetarëve shqiptarë në mbështetje të një regjimi të kalbëzuar, duke e gjetur problemin përherë tek opozita shqiptare. Së fundmi, e bëri këtë akt sërish në mes të Tiranës, vetëm para dy javësh, këtë radhë krah Edi Ramës.
Nuk e dimë nëse Mogherini ka marrë veset e bashkëpunëtorëve të vet shqiptarë, apo nëse modeli i Mogherinit është synimi i integrimit europian të Edi Ramës. Ama, një gjë e dimë. Shqipërisë në rrugën e saj nuk i duhen njerëz si Federica Mogherini. Ata vetëm europianë e modele suksesi nuk janë.
Urimi i vetëm është: Tërheqë këmbën për Kos”, shkruan ai.
