Ekzekutim Biznesmeni në Elbasan: Arrestime dhe Personat në kërkim

Foto/ Ky është momenti i ekzekutimit të biznesmenit Mondi Mëhalla në Elbasan

Janë publikuar pamjet nga vrasja e biznesmenit 43-vjeçar Edmond Mëhalla në Elbasan. Siç shihet edhe në pamje, autori ka qenë i veshur me kapuç për të shmangur identifikimin nga kamerat e sigurisë.

Për krimin, në pranga janë vënë ish-ortaku i viktimës, Xhino Ago, dhe 52-vjeçari Kujtim Pisha, i cili është roje karburanti, i akuzuar për “Moskallëzim krimi”.

Gjithashtu, policia gjatë hetimeve ka gjetur dhe sekuestruar dokumentet e shitblerjes së automjetit që u gjet i djegur në një fshat të Elbasanit, 3 celularë dhe 2 DVR.

Po ashtu, policia ka shpallur në kërkim dy persona: Marselo Arani, 32 vjeç, dhe Armando Kola, 35 vjeç.

  • Arani, banues në Elbasan, ishte në masën e sigurisë “Arrest në shtëpi” për një tjetër vepër penale.
  • Kola, banues në Laç, akuzohet për veprat penale “Vrasje me paramendim”, kryer në bashkëpunim, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” dhe “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”.

Si ndodhi ngjarja?

Mbrëmjen e së dielës (30 Nëntor), biznesmeni Edmond Hyka, i njohur edhe si Mondi Mëhalla, u ekzekutua brenda mjetit të tij tip Range Rover. Trupi i pajetë i 43-vjeçarit u gjet brenda makinës rreth orës 20:35, në lagjen “Emin Matraxhiu” të qytetit të Elbasanit.

Viktima sapo kishte dalë nga zyra, në afërsi të së cilës ndodhen bizneset dhe shtëpia e nënës së tij. Në momentin kur është futur në makinë, është qëlluar me armë zjarri dhe ka marrë tre plumba, dy prej të cilëve në kokë, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme.

Më pas, në vendngjarje mbërritën shërbimet e Policisë, të cilat ngritën pika kontrolli në të gjitha daljet e qytetit, ndërsa u kryen kontrolle në zonë dhe në ambiente të ndryshme për kapjen e autorëve.

Atentatorët, pasi janë siguruar se 43-vjeçari ndërroi jetë, janë larguar me mjetin tip “Audi” të zi në drejtim të aksit Elbasan-Librazhd.

Policia ndërkohë njoftoi se një grup i posaçëm hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, ka nisur punën për zbardhjen e rrethanave të krimit dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes.

Scroll to Top