Vrasja në Elbasan: Në pranga 33-vjeçari i dyshuar për ekzekutimin e biznesmenit
Policia ka vënë në pranga dje një person të tretë, i cili dyshohet se është përfshirë në ekzekutimin e një biznesmeni në Elbasan, ngjarje që tronditi qytetin pak ditë më parë.
Arrestimi është kryer në Prrenjas, ku është kapur 33-vjeçari Nevzat Spaho. Ky i fundit është person me precedentë penalë dhe, sipas hetimeve paraprake, dyshohet se ka qenë ekzekutori me armë në vrasjen e shtetasit.
Burime nga grupi hetimor bënë të ditur se kapja e Spahos është rezultat i disa orësh ndjekjeje dhe verifikimesh të kryera nga strukturat e Policisë së Shtetit, të cilat po punojnë intensivisht për zbardhjen e plotë të ngjarjes.
Arrestimi i tij pritet të hedhë më shumë dritë mbi motivin e vrasjes dhe rolin e secilit prej të dyshuarve. Ndërkohë, vijojnë kontrollet dhe hetimet për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë që dyshohet se kanë bashkëpunuar në ekzekutim.
