Krimi tronditi Italinë: “Më drejtoi armën në fytyrë!” Argjendari italian që vrau dy grabitës dhe plagosi një të tretë, kërkon mbrojtje në Apel: “Shpëtova familjen time!”
Para Gjykatës së Apelit në Torino, e kryesuar nga gjyqtarja Cristina Domaneschi, argjendari 72-vjeçar Mario Roggero ka folur për 27 minuta, duke lexuar një deklaratë prej 26 faqesh. Ai kërkon të mbrohet nga akuzat për vrasje me dashje të dy grabitësve, Giuseppe Mazzarino dhe Andrea Spinelli, si dhe plagosjen e një të treti, gjatë grabitjes së ndodhur më 28 prill 2021 në dyqanin e tij të bizhuterive në Grinzane Cavour.
I dënuar në shkallën e parë me 17 vjet burg, Roggero kërkon të rrëzojë vendimin, duke e cilësuar dënimin “praktikisht burgim të përjetshëm” për moshën e tij.
“Jam 72 vjeç, vij nga një familje modeste dhe punëtore. Unë dhe gruaja ime u bëmë argjendarë me punë dhe djersë,” tha ai në fillim të fjalës së tij, por u ndërpre nga gjyqtarja Domaneschi për t’u rikthyer te faktet e çështjes.
I mbrojtur nga avokati Stefano Marcolini, Roggero përmendi grabitjet e shumta që ka pësuar ndër vite, veçanërisht sulmin e vitit 2015. Sipas tij, gjatë atij sulmi u rrah për vdekje, u godit me qytën e armës, i theu hunda dhe grabitësit kërcënuan me armë vajzën e tij.
“Që prej asaj dite, kemi jetuar në një gjendje të vazhdueshme frike. Çdo zhurmë, çdo hije na trembte. Jeta jonë nuk ka qenë më e njëjtë,” tha ai.
Ai përshkroi edhe minutat e grabitjes së vitit 2021, ku dy prej autorëve, Spinelli dhe Mazzarino, hynë të armatosur në dyqan.
“Spinelli më drejtoi armën, ndërsa Mazzarino kapi me forcë gruan time dhe e tërhoqi zvarrë. Më pushtoi i njëjti terror si në vitin 2015. Mendova: ‘Përsëri’,” u shpreh ai.
Sipas rrëfimit të tij, grabitësit i kanë zbuluar fytyrat gjatë përleshjes, çka e bëri edhe më të bindur se situata mund të përfundonte në tragjedi. Ai pretendoi se Mazzarino i bërtiti “Do të të vras”, ndërsa Spinelli ia drejtoi armën në ballë dhe nisi të numëronte përpara se të qëllonte.
Në atë moment, thotë Roggero, kujtoi se kishte një armë në sirtarin e arkës.
“Nuk mbaj mend të kem parë gruan time. Në ato sekonda tmerri, truri nuk regjistron gjithçka,” deklaroi ai.
Argjendari pranoi se ka shtënë, por këmbënguli se e ka bërë vetëm për të shpëtuar veten dhe familjen.
“Qëllova në derën e makinës për t’i trembur, nga frika se gruaja ime ishte brenda. Nuk do të kisha qëlluar kurrë në lartësinë e gjoksit.”
Kjo deklaratë shkaktoi reagim të ashpër nga një i afërm i viktimave, i cili bërtiti nga salla: “Po të tjerët?”.
Roggero vijoi:
“Spinelli më drejtoi armën në fytyrë. Isha i tmerruar. Qëllova për të shpëtuar jetën time. Nuk pata qëllim vrasjeje. E godita pa dashje. Pastaj qëllova edhe ndaj Mazzarino-s. Sa për grabitësin e tretë, mendova se edhe ai ishte i armatosur.”
Ai e përmbylli fjalën e tij me një mesazh të drejtpërdrejtë:
“Unë veprova në vetëmbrojtje. Nëse ata nuk do të kishin drejtuar armët, nuk do të kisha qëlluar kurrë. Doja vetëm të mbroja gruan dhe familjen time.”
Gjykata e Apelit do të vendosë nëse rrëfimi i argjendarit do të ndikojë në ndryshimin e dënimit të tij, tre vjet pas ngjarjes që tronditi Italinë.
