Rusia thotë se takimi “domethënës” me SHBA-në për paqe në Ukrainë mbaroi “pa përparim”
Një delegacion amerikan, i kryesuar nga i dërguari i posaçëm Steve Witkoff, u takua me presidentin rus Vladimir Putin dhe ndihmësit e tij për gati pesë orë në Kremlin më 2 dhjetor, për bisedime mbi një propozim për t’i dhënë fund pushtimit të plotë të Ukrainës nga Moska.
Në një ditë përpjekjesh intensive diplomatike për t’i dhënë fund konfliktit më të madh dhe më vdekjeprurës në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky kishte deklaruar se nuk ka pasur kurrë mundësi më të mirë se tani për të arritur një marrëveshje. Megjithatë, pak para bisedimeve, Putin akuzoi qeveritë evropiane se po përpiqen ta pengojnë paqen dhe paralajmëroi se, nëse Evropa dëshiron të nisë një luftë me Rusinë, atëherë Moska është e gatshme të luftojë.
Yury Ushakov, këshilltar i Putinit për politikën e jashtme, u tha gazetarëve pas takimit në Kremlin se “nuk jemi as më afër, por as më larg” arritjes së paqes. Ai shtoi se nuk u shtjelluan formulime të veçanta të përgatitura nga amerikanët, por thelbi i mesazhit. Disa gjëra u përshtatën, ndërsa disa u pritën me kritika nga pala ruse, duke theksuar se çështjet territoriale ishin pikë veçanërisht problematike.
“Ne nuk shohim ndonjë mundësi për zgjidhjen e krizës së Ukrainës pa adresuar çështjet territoriale. Për të shënuar përparim të mirëfilltë, ka ardhur koha që si Moska ashtu edhe Uashingtoni të fillojnë të punojnë seriozisht,” shtoi Ushakov.
Witkoff nuk komentoi duke u larguar nga takimi drejt Ambasadës së SHBA-së në Moskë. Ai dhe dhëndri i presidentit amerikan Donald Trump, Jared Kushner, kishin fluturuar për në Moskë më 2 dhjetor për t’u takuar me Putinin dhe negociatorët rusë pas një propozimi fillestar 28-pikësh nga SHBA-ja. Ky dokument, i cili kryesisht shihej si i përputhshëm me qëllimet ruse për pushtimin e plotë të Ukrainës, u “përmirësua” në 19 pika pas bisedimeve midis delegacioneve amerikane dhe ukrainase javën e kaluar.
Qeveritë evropiane gjithashtu kishin paraqitur ndryshime dhe një kundërpropozim për planin e draftit, duke synuar të hiqnin ose zbutnin dispozitat që sipas tyre cenonin sovranitetin e Ukrainës. Por, Moska i hodhi poshtë këto ndryshime evropiane menjëherë dhe Ushakov tha se Putin “pa dyshim paraqiti vlerësimin e tij për rolin pengues që evropianët po e luajnë në procesin e paqes”.
Duke folur para takimit të tij me Witkoff dhe Kushner, Putin tha se Rusia është e gatshme t’i përfshijë shtetet evropiane në bisedime, në qoftë se ato e njohin atë që ai e quajti “realitetet në fushën e betejës” në Ukrainë. “Ne nuk kemi asnjë qëllim ta luftojmë Evropën, e kam thënë këtë 100 herë,” tha Putin. “Por, nëse Evropa dëshiron të luftojë përsëri dhe e fillon luftën, atëherë ne jemi të gatshëm për atë menjëherë.”
Bashkimi Evropian ka thënë disa herë se nuk do ta pranojë një rishikim të dhunshëm të kufijve të Evropës dhe se vetëm Ukraina mund të vendosë për të ardhmen e territorit të saj. Putin vazhdon të ngulë këmbë se Ukraina duhet t’ia dorëzojë Rusisë rajonin lindor të Donbasit për të siguruar paqen, duke përfshirë zonat që ushtria ruse nuk ka arritur t’i pushtojë në më shumë se tri vjet e gjysmë lufte. Kievi nuk i pranon këto kushte dhe i ka kundërshtuar përpjekjet e Moskës për t’i kufizuar shpresat e Ukrainës drejt anëtarësimit në NATO, për të vendosur kufij për madhësinë e forcave të saj të armatosura.
“Tani, më shumë se kurrë, ka mundësi për ta ndalur këtë luftë,” tha Zelensky në një konferencë për shtyp në Dublin, pas takimit me kryeministrin irlandez Micheal Martin më 2 dhjetor. “Detyra jonë e përbashkët është të ndalim luftën, jo vetëm të arrijmë ndërprerjen e armiqësive. Kërkohet paqe e dinjitetshme. Për ta arritur këtë vërtet, të gjithë duhet të jenë në anën e paqes.”
Sekretari amerikan i Shtetit Marco Rubio, duke komentuar bisedimet me Rusinë për t’i dhënë fund luftës së saj në Ukrainë, tha: “Kemi bërë përparime, por ende nuk kemi arritur aty ku duhet”. “Dhe, ajo që jemi përpjekur ta bëjmë – dhe mendoj se kemi bërë ca përparim – është të kuptojmë se me çfarë mund të jetonin ukrainasit, që t’u jepen atyre garanci sigurie për të ardhmen,” tha Rubio për Fox News në një intervistë të transmetuar më 2 dhjetor. “Në fund të fundit, vendimet duhet të merren, në rastin e Rusisë, vetëm nga Putini, jo këshilltarët e tij. Vetëm Putini mund ta përfundojë këtë luftë nga ana ruse.”
Ukraina ka shprehur hapur shqetësimin se Uashingtoni dhe Moska mund të pajtohen për një plan për të ndalur konfliktin më të madh dhe më vdekjeprurës në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore. Trump bëri fushatë në vitin 2024 duke pretenduar se mund ta ndalë luftën brenda 24 orësh, por arritja e një marrëveshjeje për të ndaluar pushtimin e plotë të Ukrainës – që Moska e nisi në shkurt 2022 – del të jetë shumë e vështirë. Trump ka shprehur pakënaqësi me të dyja palët, pasi bisedimet kanë ngecur për muaj, para se të rigjallëroheshin përsëri në javët e fundit.
Moska ka thënë vazhdimisht se duhet patjetër ta kontrollojë të gjithë Donjeckun, një nga pesë rajonet ukrainase që Putin pretendon pa bazë se janë ruse. Dorëzimi i tokës që forcat ukrainase e kanë mbajtur larg Rusisë me kosto të madhe do të ishte një lëshim i madh nga Kievi dhe mund të ketë pasoja politike për Zelenskyn. Ukraina frikësohet se disa nga kushtet e propozimit do ta lënë atë të ndjeshme ndaj pushtimit eventual nga Rusia, edhe pse Shtetet e Bashkuara kanë propozuar gjithashtu një garanci sigurie 10-vjeçare për Kievin.
Putin ka thënë se është i gatshëm për bisedime për paqe, por nëse Ukraina refuzon marrëveshjen, atëherë forcat ruse do të çajnë përpara dhe do të marrin më shumë toka ukrainase.
Disa nga veprimet e mëparshme të Witkoffit kanë ngritur alarme tek vëzhguesit e jashtëm, të cilët frikësohen se ai po manipulohet ose se nuk kupton thellësisht kontekstin e ndërlikuar historik të luftës. Witkoff ka përdorur përkthyes të siguruar nga Kremlini për bisedimet e tij me Putin dhe zyrtarë të tjerë, në vend që të përdorte përkthyes të autorizuar nga Ambasada e SHBA-së. Pas takimit të fundit të Witkoffit me Putin në gusht, zyrtarët amerikanë dhe evropianë thanë se ai nuk kishte kuptuar mirë gjeografinë e territorit ukrainas që Putin po pretendonte.
Disa media cituan burime që thanë se Witkoff dhe Kushner mund të takonin Zelenskyn pas bisedimeve në Kremlin. Zelensky tha se pret të marrë lajme nga ekipi amerikan menjëherë pas bisedimeve në Moskë dhe se mbetet i gatshëm të takojë Trumpin, në varësi të rezultateve të diskutimeve të 2 dhjetorit.
