Procesi për aferën e sterilizimit mbetet prej 5 muajsh pezull
Procesi gjyqësor për çështjen e sterilizimit ka mbetur pezull prej pesë muajsh, pasi avokatët e të pandehurve kanë kërkuar shtyrje të njëpasnjëshme dhe nuk kanë paraqitur ende konkluzionet përfundimtare.
Në seancën e së mërkurës, avokatët e ish-zv.ministrit të Shëndetësisë, Klodian Rrjepaj, biznesmenit Ilir Rrapaj dhe të pandehurve të tjerë, u shprehën se megjithëse kanë të përgatitura diskutimet përfundimtare, nuk janë në gjendje t’i paraqesin ato verbalisht në seancë. Argumenti i tyre ishte se të pandehurit kanë kërkuar të jenë vetë të pranishëm.
Kryesuesi i trupit gjykues, Bib Ndreca, konstatoi se me këto justifikime të avokatëve, seanca është shtyrë në mënyrë të përsëritur. Ai u tërhoqi vëmendjen përfaqësuesve ligjorë se kjo është hera e fundit që pranohen të tilla pretendime.
“Është mundësia e fundit. Nëse nuk i paraqisni në seancën e ardhshme, gjykimi do vijojë pa diskutimet përfundimtare të të pandehurve,” tha Ndreca.
Prokurorët Edvin Kondili dhe Ened Nakuçi kërkuan pezullimin e afateve të paraburgimit, pasi, sipas tyre, shtyrja e seancave po bëhet për shkak të të pandehurve.
Seanca e radhës u shty për datën 17 dhjetor, në orën 11:30.
Prokuroria kërkoi në qershor dënimin e ish-zv/ministrit Klodian Rrjepaj dhe biznesmenit Ilir Rrapaj me nga 10 vjet burgim, të cilat në aplikim të gjykimit të shkurtuar reduktohen në 6 vjet e 8 muaj heqje lirie për secilin.
Ndaj të pandehurve Saimir Kadiu, Petref Mersini dhe Marsela Serjani u kërkua dënim me 3 vjet e 6 muaj burg, dhe në aplikim të gjykimit të shkurtuar, masa bie në 2 vjet e 4 muaj.
Për Arben Gjatën, Genc Burazerin dhe Naile Ajazin, u kërkua masa e dënimit me 2 vjet, që në aplikim të gjykimit të shkurtuar mbetet 1 vit e 4 muaj.
Për Mersinin, Gjatën, Burazerin dhe Ajazin, u kërkua që të vendoset pezullimi i ekzekutimit të dënimit dhe vendosja e tyre në shërbim prove.
Hetimet e prokurorisë zbuluan shkelje të ligjit në procedurat e dhënies së njërit prej koncesioneve më të kushtueshme të sektorit të shëndetësisë, me qëllimin e vetëm të shpalljes fitues të kompanive të Ilir Rrapajt dhe shtetasit Italian, Umbro Staccini.
Lista e shkeljeve përmban:
- Një studim fizibiliteti me të dhëna të rreme, në kundërshtim me ligjin.
- Hartimi i kritereve në mënyrë të tillë që t’u përshtateshin gjendjes reale të kompanive të përzgjedhura paraprakisht.
- Mosveprimi i ish-ministrit Ilir Beqaj për zgjidhjen e konfliktit të interesit mes Rrjepajt, si kryetar i komisionit të koncesionit, dhe Rrapajt, si përfitues i tij.
Shkelje ligjore janë gjetur edhe gjatë negociimit të kontratës koncesionare, që vlerësohet se kanë qenë dukshëm në favor të kompanisë së shpallur fituese, në dëm të interesave të shtetit.
Ilir Beqaj po gjykohet veçmas me procedurën e gjykimit të zakonshëm. Në mënyrë të përsëritur, ai ka kërkuar të njihet me aktet e fashikujve të dosjes, e më pas që të dëgjojë regjistrimet audio të seancës paraprake dhe të procesit në ngarkim të tetë të pandehurve të tjerë.
Për rrjedhojë, procesi ndaj tij ka mbetur ende në fazën kur palët duhet të paraqesin kërkime paraprake, nëse kanë të tilla.