Salianji: PD-ja e paaftë për të bindur shqiptarët
Ish-deputeti demokrat, Ervin Salianji, deklaroi gjatë një takimi me strukturat e Partisë Demokratike në Durrës se qytetarët po përballen me një autokraci. Ai shtoi se shqiptarët thërrasin me dhimbje dhe se këto thirrje duhet të ngarkojnë me përgjegjësi çdo politikan.
Ndërsa akuzoi kryeministrin Edi Rama se ka shkatërruar vendin dhe se është autokrat, Salianji nuk la pa kritikuar as Partinë Demokratike. Ai theksoi se shqiptarët po largohen nga vendi dhe se zgjedhjet janë kthyer në një arenë lufte, pjesërisht edhe për shkak të paaftësisë së opozitës për të bindur qytetarët të shkojnë drejt kutive të votimit.
“E kam ndjerë këtë thirrje. PD duhet të përgatitet të udhëheqë ndryshimin që të gjithë po presin. Ky ndryshim fillon edhe nga kjo sallë, si takim i parë që po zhvillojmë me demokratët. Nga ky brez që i dëgjuat pak më parë, nga kjo energji e pashtershme në PD, por që nuk iu jepet mundësia për arsye që i dini.
Shqipëria sot po plaçkitet. Shqipëria po shpopullohet, po plaket, sikur jeta e një kombi të kishte filluar numërimin mbrapsht. Edi Rama është autokrati që përfaqëson një grup njerëzish. 40 për qind e popullsisë është larguar. Kjo nuk është statistikë, është kambanë mortore për një komb. Shqiptarët janë krenaria jonë në çdo cep të globit. Kemi dëbuar fytyrën më të bukur të Shqipërisë, por ata nuk e kanë harruar vendin. E duan Shqipërinë dhe presin nga ne një gjë të thjeshtë: t’i japim së bashku arsye që të kthehen në Shqipëri.
Sot është koha për të folur edhe për ne, demokratët. Edi Rama ka rrethuar votuesit. Përdor mjete të ndyra në politikë dhe ka prishur procesin politik në Shqipëri. Zgjedhjet janë si një luftë mes ndërvarësisë për bukën e gojës, shtrëngimit me vendin e punës, apo sipërmarrjes, zhvlerësimit të qytetarit të lirë apo krimit të organizuar.
Duhet ta themi hapur dhe me sinqeritet, një tjetër shkak është paaftësia e opozitës, e PD si forca më e madhe opozitare në vend, për të qenë bindëse, për të nxjerrë shqiptarët drejt kutive të votimit, për t’i fituar zgjedhjet. Unë kam një thirrje sot për të gjithë shqiptarët. Bashkohuni me ne. Do ta mundim Edi Ramën bashkë, të hapur, të bashkuar, të ripërtërirë dhe do t’i sjellim Shqipërisë ndryshimin,” – tha Salianji.
