Salianji nga Durrësi: PD duhet të hapet, për Ballukun duhej mbushur sheshi
Ervin Salianji mbajti takim sot me demokratët në Durrës. Të pranishëm ishin strukturat e Partisë Demokratike (PD) si dhe kandidatë të saj të cilët, pavarësisht se u votuan masivisht në zonat e tyre më 11 maj, nuk arritën të bëheshin pjesë e parlamentit.
Salianji theksoi se PD nuk po arrin të plotësojë pritshmëritë e shqiptarëve, pasi sipas tij, duhet të garantonte ndryshimin dhe largimin e qeverisjes aktuale, të cilën e cilësoi të inkriminuar dhe të korruptuar.
Ai shtoi se me një skandal si ai i 50 milionë eurove të dyshuara për vjedhje në Tunelin e Llogarasë, ku përfshihet Belinda Balluku, PD duhet të kishte mobilizuar qytetarët në sheshe për të përmbysur qeverinë, ashtu siç ndodhi në vende si Rumania apo Bullgaria.
Salianji u bëri thirrje të gjithë demokratëve dhe shqiptarëve të bashkohen për largimin e Edi Ramës.
Ai vijoi duke deklaruar:
- “Një moment i rëndësishëm për PD ku çdo fjalë ka peshë, ku çdo diskutim krijon një valë të rëndësishme për PD. Jemi këtu sepse demokratët po thirrrasin. Thirrjet e tyre nuk duhen zbukuruar, relativizuar apo injoruar. Ato janë dhimbje që duhet të rëndojnë në peshën e çdo politikani të PD. Unë personalisht e kam ndjerë këtë thirrje dhe përgjigja duhet të jetë e qartë. PD duhet të përgatitet të udhëheqë ndryshimin që po presim. Ky është takimi i parë që po zhvillojmë me demokratët. Kjo energji e pashtershme e PD nuk i jepet mundësia për arsye që të gjithë i dini.”
- “Shqipëria nuk po qeveriset, por po plaçkitet, po shpopullohet, po plaket. Tenderët ndahen si plaçkë lufte. Distanca për t’i pasur njerëzit të dobët dhe të varur. Krimi vendos gjithçka dhe Durrësi është simbol i krimit të organizuar. E keni parë si porti i Durrësit është kthyer në han pa porta për drogën e gjithë botës. Si Edi Rama e ka lënë në dorë klanit të ‘Troplinëve’ portin. U dha për 2 lekë, ndërkohë që duhej të jepej për të përfituar qytetarët e Durrësit.”
- “Sot të flasim edhe për ne. Pritshmëritë e shqiptarëve janë të mëdha. Do të na urrejë çdo demokrat nëse nuk përgjigjemi. Edi Rama dhe PS i kanë goditur zgjedhjet. Kanë patronazhim kapilar të çdo qendre votimi. Edi Rama përdor mjete të ndyra në politikë, e ka prishur procesin politik në Shqipëri. Zgjedhjet janë si një luftë mes individëve për bukën e gojës dhe përdorimin e krimit.”
- “Duhet ta themi hapur: një tjetër shkak është paaftësia e opozitës, e PD-së si forca më e madhe opozitare në vend, për t’i nxjerrë shqiptarët në kutitë e votimit. Zgjedhjet e pjesshme janë një sinjal. Nuk nxorëm dot më shumë se 2500 votues në votim. Më bëri të reflektoj që duhet të dëgjojmë demokratët: pse demokratët nuk dalin të votojnë në Vlorë? Pse nuk i motivojmë ne ata të dalin të votojnë? Nuk mund të mbyllim as sytë dhe veshët.”
- “Kur një super skandal për 50 milionë euro si ai i zv.kryeministres Belinda Balluku, njerëzit nuk vërshuan në shesh për të përmbysur qeverinë, si në Rumani, Bullgari dhe çdo vend tjetër. PD përsëri nuk po rritet. A duhet të ishim në revoltë dhe të kuptojmë që qytetarët nuk po na ndjekin në këtë revoltë? Humbjet apo vjedhjet na kanë ulur kokën. E di zhgënjimin, harresën. I di problemet me lista të mbyllura, aleatët pa peshë, mosdhënien e llogarisë, mos takimet edhe tani pas 7 muajsh dhe mosmbajtjen e asnjë lloj llogarie. Demokratët janë lodhur, nuk duhet të kemi frikë. Dhe për mua kjo është plaga jonë më e madhe. Çdo drejtues duhet ta shohë siç është.”
- “PD është një vokacion, mbetet një fuqi politike e jashtëzakonshme, por duhet të hapet, të ripërtërihet. Freskia sjell shpresë. Zëri i ri i bashkon njerëzit. Duhet të kemi edhe një analizë të fitores në disa bashki ku kemi fituar.”
- “Shqipëria ka nevojë për ne, për një PD të hapur. Që bashkëpunon me të gjitha forcat opozitare pa dallim. PD është institucioni i ndryshimit për shqiptarët. Ne e kemi forcën për ta sjellë rotacionin në këtë Shqipëri. Fitorja është një përgjegjësi historike, është detyrim që i kemi shqiptarëve, detyrim që i kemi demokratëve. Do ta mundim Edi Ramën. Ky është zotimi në çdo lagje, në çdo fshat. PD duhet të hapet. Të ngrihemi në lartësinë e pritshmërive të shqiptarëve. Kam një thirrje për të gjithë demokratët: bashkohuni me ne. Ne do ta mundim Edi Ramën dhe do sjellim ndryshimin.”
