Ervin Salianji nga Durrësi: PD duhet të përgatitet për të udhëhequr ndryshimin
Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, i pranishëm në Durrës, ka bërë thirrje që çdo demokrat t’i bashkohet lëvizjes për ndryshim. Qëllimi i kësaj lëvizjeje është ripërtëritja e PD-së dhe kthimi i saj në një alternativë qeverisëse.
Ai theksoi se ky është një moment i rëndësishëm ku çdo fjalë ka peshë dhe çdo diskutim krijon një valë për PD-në. Salianji u shpreh se demokratët kanë kontribuar për partinë, duke u përballur me një “autokraci që kontrollon gjithçka” dhe pa kërkuar asgjë në këmbim, veçse vëmendjen për problemet e tyre.
“Sot jemi këtu sepse demokratët po thirrrasin. Shqipëria po thirrras. Dhe thirrjet e tyre as nuk duhen zbukuruar dhe as nuk duhen relativizuar. Këto thirrje janë dhimbje që duhet të rëndojnë në peshën e përgjegjësisë së çdo politikani në PD, i votuar apo i pa votuar,” tha ai.
Salianji shtoi se personalisht e ka ndjerë këtë thirrje dhe beson se përgjigja duhet të jetë e qartë. “PD duhet të përgatitet që të udhëheqë ndryshimin që të gjithë po presin. Dhe ky ndryshim po fillon nga kjo sallë, nga kjo energji që është e pashtershme, por nuk i jepet mundësia për arsye që gjithsecili prej jush i di,” përfundoi ai.
