Ukraina ka goditur tubacionin e naftës “Druzba”, i cili transporton naftë ruse drejt Hungarisë dhe Sllovakisë. Sulmi i fundit u krye në rajonin Tambov, në Rusinë qendrore, sipas një burimi pranë shërbimit ushtarak të sigurisë së Ukrainës (GUR).
Ky është incidenti i pestë që preku këtë tubacion këtë vit. Hungaria dhe Sllovakia vazhdojnë të importojnë produkte energjetike nga Rusia, pavarësisht se shumica e vendeve të Bashkimit Evropian i kanë ndërprerë lidhjet energjetike me Moskën pas pushtimit të Ukrainës në vitin 2022.
Mediat ukrainase raportuan se në sulm janë përdorur eksplozivë të aktivizuar në distancë. Megjithatë, kompania sllovake përgjegjëse për menaxhimin e tubacionit, si dhe kompania hungareze e naftës dhe gazit, njoftuan se furnizimi përmes tubacionit “Druzba” po vijon normalisht.
Pala ruse nuk ka bërë ende komente lidhur me incidentin.
Ukraina ka kryer sulme të ngjashme ndaj këtij tubacioni në muajin mars (një herë), gusht (dy herë) dhe shtator (një herë) të këtij viti. Kievi deklaron se këto sulme ndaj objektivave energjetikë janë një përgjigje ndaj sulmeve të vazhdueshme ruse në Ukrainë dhe synojnë të dobësojnë përpjekjet e përgjithshme ushtarake të Moskës.
