Pentagoni: Hegseth rrezikoi ushtrinë me Signal

Përdorimi i Signal nga Hegseth Vë Ushtrinë Amerikane në Rrezik, Zbulon Pentagoni

Një panel i pavarur i Pentagonit ka vendosur se Sekretari i Mbrojtjes, Pete Hegseth, i ka vënë vartësit e tij në rrezik duke përdorur aplikacionin e mesazheve të koduara Signal për të diskutuar bombardimet në Jemen me zyrtarë të tjerë, raportoi media të mërkurën.

Më herët gjatë vitit, ushtria amerikane nisi një fushatë kundër rebelëve Huthi, në emër të mbrojtjes së lirisë së lundrimit dhe tregtisë ndërkombëtare në Detin e Kuq.

Ish-këshilltari i sigurisë kombëtare i Donald Trump, Mike Walz, u shkarkua nga posti i tij në fillim të majit, pas zbulimeve në mars nga një gazetar i revistës The Atlantic se ai ishte bashkuar pa dashje në një grup bisedash Signal ku shkëmbeheshin mesazhe pune.

Një hetim i brendshëm nga një organ i pavarur i Departamentit të Mbrojtjes arriti në përfundimin se Sekretari Hegseth, i cili postonte mesazhe në këtë grup bisedash, i vuri forcat e armatosura në rrezik, raportuan media si Washington Post.

Pete Hegseth kishte zbuluar, ndër të tjera, në disa nga mesazhet e tij drejtuar anëtarëve të tjerë të grupit të bisedave, cilat orare do të fillonin bombardimet dhe cilat mjete specifike do të përdoreshin.

Megjithatë, ministri nuk konsiderohet se ka shkelur rregullat mbi sekretin dhe sigurinë operacionale, thuhet në raport, sipas mediave amerikane, të cilat citojnë burime të vetëdijshme për përmbajtjen e tekstit.

Zbulimi vjen ndërkohë që kreu i Pentagonit amerikan ishte tashmë në një pozicion të vështirë, për shkak të sulmeve që janë kryer që nga shtatori në Paqësorin lindor dhe kryesisht në Karaibe, në emër të luftimit të trafikut të drogës, pa paraqitur kurrë prova për lidhjen e anijeve të synuara me kartelet e drogës.

Administrata e Presidentit Donald Trump kritikohet për këto sulme, ligjshmëria e të cilave vihet në dyshim nga ekspertët dhe OKB-ja.

Në qendër të polemikave ishte së fundmi një operacion në të cilin forcat e armatosura amerikane nisën një sulm të dytë kundër një motoskafi që e kishin bombarduar tashmë, me qëllim eliminimin e të mbijetuarve. Në total, më shumë se 80 persona janë vrarë në këto sulme.

Në Jemen, bombardimet amerikane ndaluan në maj, pas një marrëveshjeje midis qeverisë amerikane dhe rebelëve Huthi.

Lëvizja rebele jemenase ka kryer një seri sulmesh kundër anijeve që thotë se janë të lidhura me Izraelin, si dhe aleatëve të saj, siç janë SHBA-të. Ata shprehen se në këtë mënyrë po mbështesin palestinezët në Rripin e Gazës, të rrethuar dhe nën bombardime të pandërprera izraelite, në luftën që u shkaktua nga bastisja e Hamasit në Izraelin jugor më 7 tetor 2023.

Scroll to Top