Studenti planifikoi sulm të armatosur në universitetin amerikan. Ai shkroi se donte t’i vriste të gjithë dhe të bëhej martir.
Një student i Universitetit të Delaware u arrestua sot në Shtetet e Bashkuara, me akuzën e planifikimit të kryerjes së një sulmi të armatosur në kampusin e këtij institucioni arsimor, me synimin për të vrarë sa më shumë njerëz të ishte e mundur.
Sipas New York Post, i arrestuari është 25-vjeçari Lukmaan Khan. Në makinën e tij, policia gjeti një arsenal armësh, një jelek antiplumb dhe shënime të shkruara me dorë, ku shprehte dëshirën për të “vrarë të gjithë” dhe për t’u bërë “martir”.
Sipas raportit, 25-vjeçari u arrestua teksa ndodhej në makinën e tij, në një park jashtë ambienteve të Universitetit, pas përfundimit të orëve mësimore. Në bagazhin e automjetit, autoritetet gjetën municione, një pistoletë, një pajisje për kthimin e pistoletës në armë automatike dhe karikatorë për armë.
Dyshohet se Khan e kishte planifikuar sulmin në Stacionin e Policisë së Universitetit dhe mbante me vete një fletore me shënime të hollësishme rreth planit të sulmit.
25-vjeçari u ndalua rastësisht, pasi oficerët e policisë e vërejtën ulur në makinën e tij dhe, siç thanë ata, ai dukej mjaft nervoz kur iu afruan. Sipas FBI-së, Khan, i cili thuhet se është refugjat nga Afganistani, i rezistoi arrestimit.
Sipas shefit të policisë lokale, oficerët iu afruan rastësisht dhe vepruan siç duhet, duke mos e lënë thjesht të largohej nga vendi i ngjarjes.
