Putin përgjegjës moralisht për vdekjen nga Novichok

Putin Moralish Përgjegjës për Vdekjen e Gruas së Pafajshme, Hetimi Zbulon Përdorimin e “Novichok”

Presidenti rus Vladimir Putin u cilësua si “moralisht përgjegjës” për vdekjen e Dawn Sturgess, sipas rezultateve të një hetimi raportuar nga BBC.

Hetuesit britanikë kanë nxjerrë përfundimin se presidenti rus mund të ketë urdhëruar sulmin me agjentin nervor Novichok kundër ish-agjentit të dyfishtë Sergey Skripal në vitin 2018. Ky akt u përshkua si “tronditësisht i pamatur” dhe çoi në vdekjen e një gruaje të pafajshme.

Dawn Sturgess, nënë e tre fëmijëve dhe më e madhja e katër motrave e vëllezërve, u ekspozua ndaj Novichok në banesën e partnerit të saj, Charlie Rowley, në Amesbury. Ajo u shtrua në spitalin e Salisbury dhe humbi jetën më 8 korrik 2018, tetë ditë pas kontaktit me substancën vdekjeprurëse.

Hetimi theksoi se kujdesi mjekësor i ofruar nga stafi i ambulancës dhe spitalit ishte “plotësisht adekuat” dhe se asnjë ndërhyrje mjekësore nuk do të kishte mundur t’i shpëtonte jetën.

Nëna e Dawn-it e përshkroi vajzën e saj si “inteligjente, të paepur dhe shumë të sjellshme”, duke shtuar se ajo kishte filluar të shpresonte për një fillim të ri, pavarësisht vështirësive të viteve të fundit.

Sulmi ndaj Sergey dhe Yulia Skripal u konsiderua si një “demonstrim publik i fuqisë ruse”, ndërsa vdekja e Dawn Sturgess u cilësua si pasojë e “dëmit kolateral”. Hetimi arriti në përfundimin se ky veprim ishte “ekuivalent me një deklaratë publike” drejtuar audiencës ndërkombëtare dhe asaj të brendshme, duke treguar gatishmërinë e Rusisë për të ndërmarrë veprime të vendosura për interesat e saj.

Raporti thekson se të gjithë ata që morën pjesë në atentat, përfshirë Putinin, i cili dyshohet të ketë miratuar sulmin në nivelin më të lartë, mbartin përgjegjësi morale për vdekjen e Dawn Sturgess.

Tentativa për helmimin e Sergey dhe Yulia Skripal, e njohur si “rasti Salisbury”, ndodhi më 4 mars 2018 në qytetin Salisbury të Anglisë. Sergey Skripal, ish-oficer i ushtrisë ruse dhe agjent i dyfishtë për shërbimet britanike, dhe vajza e tij Yulia u helmuan me agjentin nervor Novichok. Të dy qëndruan për javë të tëra në gjendje kritike para se të shëroheshin.

Edhe një oficer policie, Nick Bailey, i cili u ekspozua gjatë hetimit, u shtrua në terapi intensive, por më vonë u shërua.

Qeveria britanike akuzoi Rusinë për atentatin dhe vendosi një sërë sanksionesh, përfshirë dëbimin e diplomatëve. Rusia mohoi akuzat, dëboi diplomatët e huaj në kundërpërgjigje dhe fajësoi Britaninë për keqadministrim të çështjes Skripal.

Scroll to Top