Irani paralajmëron SHBA në Gjirin Persik, stërvitje ushtarake

Gjiri Persik: Irani paralajmëron për sulme ndaj anijeve amerikane

Forcat e Gardës Revolucionare të Iranit kanë filluar sot stërvitje ushtarake në Gjirin Persik, duke dërguar paralajmërime ndaj anijeve luftarake amerikane që ndodhen në zonë.

Sipas televizionit shtetëror, këto stërvitje synojnë të theksojnë “sakrificën dhe shpirtin e rezistencës” të forcave detare të Gardës Revolucionare (IRGC) “për të përballuar çdo kërcënim”, duke iu referuar konfliktit me Izraelin në qershor.

Forcat detare i kanë dërguar paralajmërime anijeve amerikane në rajon, duke përcjellë një mesazh të ashpër, megjithëse përmbajtja e mesazheve nuk është bërë publike. Forcat amerikane në Gjirin Persik nuk kanë bërë asnjë koment.

Gardistët, ushtria ideologjike e Republikës Islamike të Iranit, kanë vendosur gjithashtu sisteme mbrojtjeje kundërajrore, të cilat, sipas mediave shtetërore, janë “të afta të identifikojnë objektivat ajrore dhe detare me ndihmën e inteligjencës artificiale”.

Zëvendëskomandanti i Gardës Revolucionare, Ali Fadavi, deklaroi të mërkurën se “asnjë vend nuk mund të kufizojë rolin e Gjirit të Hormuzit” dhe premtoi se Gardistët do të mbrojnë këtë rrugë detare strategjike. Rreth 20% e eksporteve globale të naftës kalon përmes Gjirit Persik dhe ngushticës strategjike të Hormuzit çdo vit.

“Siguria e Gjirit Persik është linja e kuqe e Iranit,” shtoi ai, duke paralajmëruar kundërshtarët, SHBA dhe Izraelin, të cilët i cilëson si “aktorët kryesorë të pasigurisë globale,” sipas agjencisë zyrtare të lajmeve IRNA.

Gardistët kanë konfiskuar herë pas here anije të huaja që lundrojnë në Gjirin Persik nën akuzën e kontrabandës së karburantit.

Konflikti mes Iranit dhe Izraelit në qershor, pas një sulmi izraelit, zgjati 12 ditë. Gjatë kësaj periudhe, SHBA goditi tre objekte kyçe bërthamore iraniane. Sulmet, që çuan në vdekjen e mijëra personave, përfshirë komandantë të lartë të Gardës, shkaktuan kundërpërgjigje iraniane me dronë dhe raketa, duke rezultuar në dhjetëra viktima.

Scroll to Top