SHBA godet një anije që transportonte drogë, katër të vdekur në Paqësorin Lindor
Ushtria amerikane njoftoi të enjten se katër persona u vranë gjatë një operacioni kundër një anijeje të dyshuar për trafik droge në Paqësorin Lindor. Sipas autoriteteve, anija i përkiste një organizate të shpallur terroriste dhe merrej me trafikun e narkotikëve.
Komanda Jugore e SHBA-së bëri të ditur për operacionin në platformën X. Veprimi u krye me urdhër të Sekretarit të Luftës të SHBA-së, Pete Hegseth. Shërbimet e inteligjencës kishin raportuar se anija transportonte lëndë narkotike të paligjshme dhe po kalonte në një rrugë të njohur trafiku droge në Paqësorin Lindor.
“Katër persona, të cilësuar si narko-terroristë, që ndodheshin në bord u vranë”, thuhet në deklaratë.
Që nga shtatori, SHBA-të kanë kryer të paktën 22 sulme ajrore kundër anijeve të dyshuara për transport droge, si në Detin e Karaibeve ashtu edhe në Oqeanin Paqësor Lindor, duke rezultuar në vdekjen e të paktën 87 personave.
Ky sulm i fundit vjen mes diskutimeve për një urdhër të dyshuar të Hegseth për vrasjen e të mbijetuarve nga një sulm i mëparshëm ndaj një anijeje droge në Detin e Karaibeve në shtator. Administrata e SHBA-së ka mohuar këto akuza.
Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, konfirmoi operacionin e dytë, por sqaroi se Hegseth kishte autorizuar komandantin e Komandës së Operacioneve Speciale të SHBA-së, Admiral Frank Bradley, të kryente sulme më 2 shtator, brenda autoritetit dhe ligjit.
Në muajt e fundit, SHBA-të kanë intensifikuar operacionet e tyre ushtarake në të gjithë Amerikën Latine, duke përfshirë dislokimin e forcave detare, avionësh luftarakë, bombardues, nëndetëse dhe dronë.
