Dosja Veliaj: Biznesmeni Abule në GJKKO për Pastrim Parash

Biznesmeni Elman Abule paraqitet në GJKKO për dosjen Veliaj

Biznesmeni Elman Abule, i cili është marrë i pandehur në dosjen penale të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, është paraqitur sot në Gjykatën e Posaçme të Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), ku po zhvillohet seanca paraprake.

Abule akuzohet për veprën penale të pastrimit të parave, lidhur me dosjen e Veliajt dhe ndodhet aktualisht nën masën e arrestit shtëpiak, e cila është vendosur me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).

Nga ana tjetër, Erion Veliaj akuzohet për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie.

Seanca paraprake për kryetarin e Bashkisë së Tiranës po mbahet sot, më 5 dhjetor. Në seancën e kaluar, ku Veliaj ishte i pranishëm, ajo u shty për shkak të kërkesës së tij për t’u njohur me aktet e dosjes. Ai kërkoi gjithashtu që të mos vendosej në kafaz gjatë zhvillimit të seancës, duke e konsideruar këtë si një shkelje të të drejtave të njeriut dhe dispozitave kushtetuese.

Erion Veliaj ndodhet në paraburgim që nga shkurti dhe akuzohet për vepra të ndryshme penale, përfshirë pastrimin e parave, mosdeklarimin e pasurisë, korrupsionin pasiv në 9 episode, shpërdorimin e detyrës dhe futjen e sendeve të ndaluara në qeli.

Më datë 3 nëntor, Gjykata Kushtetuese i dha të drejtë Erion Veliajt duke e lënë në detyrë si kryebashkiak i Tiranës. Kushtetuesja rrëzoi vendimin e qeverisë për shkarkimin e tij dhe shfuqizoi dekretin e Presidentit Bajram Begaj për shpalljen e zgjedhjeve në Tiranë.

Më 27 nëntor, Veliaj iu drejtua sërish Gjykatës Kushtetuese, duke kërkuar shfuqizimin e vendimeve të GJKKO, Gjykatës së Apelit të Posaçëm dhe Gjykatës së Lartë lidhur me masën e sigurisë “arrest me burg”.

Scroll to Top