Përfundon takimi i Ramës me ministrat! Ja çfarë ndodhi brenda vilës qeveritare në Pogradec
Publikuar më 24.08.2026 nga Shek
Ka përfunduar takimi i kryeministrit Edi Rama me kabinetin qeveritar, zhvilluar në qytetin e Pogradecit. Takimi, i cili nisi rreth orës 11:00 dhe përfundoi rreth orës 18:00, u përqendrua në qasjen e re që qeveria do të ketë në vitin e dytë të mandatit të katërt, lidhur me shërbimet ndaj qytetarëve.
Sipas raportimeve, takimi filloi me fjalën e kryeministrit, pasuar nga prezantimet e ministrave, të cilët brenda 15 minutash, renditën objektivat që dikasteret e tyre synojnë të arrijnë. Në takim ishin të pranishëm edhe krerë të institucioneve në varësi të ministrive.
Në fokus të diskutimeve, veç dy dokumenteve strategjikë, “Besa” dhe “Prania Besnike”, ishte edhe platforma e re e prezantuar nga vetë Rama një ditë më parë, gjatë takimit me drejtuesit politikë dhe krerët e grupeve parlamentare “Pasqyrë Albania”.
Kjo platformë do të funksionojë mbi dy mekanizma:
- “Flamingo Albania”, frymëzuar nga protestat kundër qeverisë, do të mbledhë ankesat e qytetarëve.
- “Radar” do të shërbejë për të gjurmuar në kohë reale ecurinë e zgjidhjes së ankesave.
Platforma synon zgjidhjen e problematikave të qytetarëve në kohë rekord, brenda dy javësh, duke përmirësuar komunikimin mes Qeverisjes Qendrore, ministrive, Bashkive dhe drejtorive të përgjithshme.
Jashtë vilës qeveritare, kryeministri, njëjtë si një ditë më parë, u prit nga një qytetar i cili kishte udhëtuar nga Greqia për ta takuar.
Pas takimit të Pogradecit, i cili përmbyll zyrtarisht pushimet e socialistëve, pritet që Rama të mbledhë edhe Asamblenë Kombëtare. Pyetja më e madhe në këtë kontekst është nëse do të njoftojë apo jo ndryshime në qeveri.
