I vodhi me dhunë varësen e florit një qytetareje, arrestohet 36-vjeçari në Kamëz
Policia ka arrestuar ditën e sotme një 36-vjeçar në Kamëz. Ai u arrestua pasi i ka marrë me dhunë varësen e floririt një 26-vjeçareje. Mbi 36-vjeçarin, banues në Kamëz, rëndon akuza për veprën penale “Vjedhja me dhunë”.
Njoftimi i policisë:
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 5, pas marrjes së njoftimit se një shtetaseje i kishin vjedhur me dhunë varësen, në bulevardin “Nënë Tereza”, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Bulevardi”, për identifikimin dhe kapjen e autorit.
Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore dhe procedurale të kryera nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 5, u identifikua, u kap dhe u arrestua në flagrancë shtetasi K. R., 36 vjeç, banues në Kamëz, për veprën penale “Vjedhja me dhunë”.
Nga hetimet dyshohet se ky shtetas, në bulevardin “Nënë Tereza”, i ka marrë me dhunë varësen e floririt nga qafa një 26-vjeçareje.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
