AAK propozon Ramush Haradinajn për Kryeministër të Kosovës

Zgjedhjet, AAK-ja propozon Haradinajn si kandidat për kryeministër

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka propozuar liderin e saj, Ramush Haradinaj, si kandidat për kryeministër të Kosovës në zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit.

Haradinaj do të jetë gjithashtu bartës i listës për zgjedhjet e dhjetorit, ndërsa partia e tij do të garojë me sloganin “Krah teje”. Ai njoftoi përmes një postimi në Facebook se në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të AAK-së është miratuar edhe lista me 110 kandidatë për deputetë, si dhe programi zgjedhor.

Sipas tij, programi është ndërtuar mbi tri shtylla kryesore:

  • “Qëndrueshmëria dhe trashëgimia”
  • “Mirëqenia dhe zhvillimi ekonomik”
  • “Siguria dhe integrimi euro-atlantik”

“Aleanca në zgjedhje niset ‘Krah Teje’, për rikthim të normalitetit në vend, zhvillim e mirëqenie, për anëtarësim në NATO dhe BE, për rikthim të partneritetit strategjik me aleatë të prirë nga SHBA, për sigurinë dhe ruajtjen e Shtetit si një të pandarë,” shkroi Haradinaj në Facebook.

Në të kaluarën, Haradinaj ka shërbyer dy herë si kryeministër i Kosovës.

Në zgjedhjet e fundit parlamentare të mbajtura më 9 shkurt të këtij viti, AAK-ja garoi në koalicion me Nismën Socialdemokrate dhe disa parti të tjera. Koalicioni arriti të fitonte 66.256 vota, ose 7.06%. Nga tetë deputetët e fituar, pesë ishin nga AAK-ja dhe tre nga Nisma Socialdemokrate e Fatmir Limajt.

Deri më tani, edhe partitë e tjera shqiptare kanë nominuar kandidatët e tyre për kryeministër. Lëvizja Vetëvendosje e ka nominuar liderin e partisë, Albin Kurtin. Partia Demokratike do të garojë me kryetarin e ri të partisë, Bedri Hamzën, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës e ka nominuar kryetarin e partisë, Lumir Abdixhikun, për postin e kryeministrit. Të katër këta udhëheqës partiakë ishin kandidatë për kryeministër edhe në zgjedhjet e 9 shkurtit.

Scroll to Top